Djaloshi që migroi si 12 vjeçar në Zvicër, aktualisht pronar fabrike

Diaspora

Djaloshi që migroi si 12 vjeçar në Zvicër, aktualisht pronar fabrike

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 11:02

I riu Shkëlzen Tahiri, me prejardhje nga Shahiqi i Dardanës prej pesë vitesh drejton firmën Sprenger Werkzeugbau AG në Margarethen (TG), ku prodhohen vegla precize për industri, ndërsa që paralelisht bënë punën e punëtorit dhe të drejtorit.
Në vazhdën e shkrimeve për shqiptarët e suksesshëm në Zvicër, në lëmin e prodhimtarisë industriale, përzgjodhëm të riun, Shkëlzen Tahiri, me prejardhje fshati Shahiq i komunës së Dardanës (ish-Kamenicës). Në repartet e firmës, që ai drejton, me emërtimin, Sprenger Werkzeugbau AG në Margarethen (TG), vështirë është të kuptosh nëse Shkëlzeni është më parë punëtorë metalik, apo menaxher e drejtor, pasi ai paralelisht duhet ti bëjë vet të gjitha.

Firma që ai drejton prej afro 5 vitesh, në cilësinë e një menaxheri dhe prodhuesi të suksesshëm, para së gjithash është rezultat i angazhimit dhe vetëmohimit të këtij të riu që arriti shumë shpejtë ta konsolidoi jo vetëm kolektivin, por edhe ta rrisë cilësinë e prodhimeve, të përmirësojë asortimentin dhe të zgjerojë edhe tregun. Aktualisht rreth 90 për qind të prodhimeve që realizon në repartet e kësaj fabrike shkojnë për nevoja të industrisë së vendit, madje për firma të njohura siç janë ABB, Stile e tjerë, ndërsa që nuk mungojnë as klientët nga Gjermania e Italia e tjerë.

Por si arriti deri këtu ky 37- vjeçar, pasi që në Zvicër erdhi si 12 vjeçar, për këtë mësojmë nga vet Shkëlzeni i cili tregon se më parë kreu një shkollim të mesëm dhe të lartë (pa shkëputje nga puna), sa tash të drejtojë edhe këtë fabrikë për prodhimin e veglave për nevoja të industrisë vendase.

-Në vendlindje, në Shahiq të Dardanës, familja jonë merrej kryesisht me zdrukthëtari, punë këtë që e vazhdoi babai Sinani edhe në Zvicër. Ndërsa, unë u orientova në industri, për çka edhe kreva shkollimet dhe specializimet përkatëse. Përvoja 14 vjeçare që fitova në firmën në Büchler AG në Uzwil dhe puna si agjent tregtar në Sphinx në Denendigen SO, më ndihmoj shumë që të fitoj një përvojë menaxhimi, sa të njihem me një rreth të madh klientësh, filluar nga Argau deri në Graubinden, gjë që kjo më hyri në punë edhe në firmën time,- shpjegon Shkëlzeni.

Më tej tregon, se me rastin e blerjes së firmës hasi në mbështetje nga pronari i mëparshëm që i ofroi lehtësime kreditore, porse ndihmën më të madhe, edhe atë materiale e pati nga familja, babai Sinani dhe bashkëshortja, Ganimetja, që në firmë kryen detyrën e kontabilistes. Meqenëse teknologjia vazhdimisht është në përsosje e sipër, ai thotë se iu desh që të blejë edhe disa makina moderne me vlerë milionëshe për përsosjen e procesit tekniko-teknologjik. Sa i përket rritjes së numrit të punëtorëve, shton se nuk e pretendon atë, para se rritjen e teknologjisë dhe projekteve të reja fitimprurëse.

Nga ata pak punëtorë që ka, mësojmë se Shkëlzeni assesi nuk sillet si një drejtor autoritar, por më parë si punëtor prodhimi i cili në firmë punon edhe nga 12 orë në ditë, madje edhe të shtunave, duke punuar edhe vetë pranë makinave apo në konstruktimin e veglave. Si pjesë e pandashme e punëtorëve, ai vet ua sjellë atyre edhe shujtën e mëngjesit.

Rasti i Shkëlzen Tahirit tregon jo vetëm për arritjet e disa të rinjve në Zvicër, por edhe për profilin e punëtorit dhe drejtuesit të ri, që para se ti përkushtohet luksit personal e familjar i përkushtohet përsosjes së procesit tekniko-teknologjik, tregut dhe krijimit të kushteve sa më të mira për punëtorë, aq më parë që edhe nga pozita e pronarit sillet si një punëtor i profilizuar në industrinë i mekanikës precize. Mjafton që edhe përmes imazheve që realizuam në këtë fabrikë të shihet se s’prodhon Shkëlzeni në fabrikën e tij në Margarethen të kantonit të Thurgaut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat