Prezantohen ushqimet tradicionale në Zvicër

Diaspora

Prezantohen ushqimet tradicionale në Zvicër

Më: 26 gusht 2014 Në ora: 10:08

Rruga, e cila të shpie te Kisha e vjetër e reformuar në qytetin e Thunit të Zvicrës, gjatë fundjavës ishte e mbyllur për automjete.

Nënat e moshave të reja me qetësinë më të madhe shëtisnin fëmijët e tyre me karrocat komode nëpër rrugën e hapur vetëm për ato. Në njërën anë të rrugës vërenim vizitorët e shumtë të ardhur nga qyteti dhe rrethina, në anën tjetër ishin vendosur tezgat e shumta, të cilat e kishin begatuar këtë eveniment vjetor, duke sjell me vete prodhime të shumta nga artizanalet e tyre që i kanë kultivuar me shekuj. Është fjala për festën familjare Strattligen, organizuar nga qyteti i Thunit, në bashkëpunim me Kishën e reformuar të qytetit.

Në këtë ditë të qetë, me pak diell dhe pa shi, mund të vërehej një fluks i madh i vizitorëve, të cilët kalonin nga tezga në tezgë për të parë se çfarë kishin sjellë zanatlinjtë e vjetër nga rrethina. Në tezgat ishin prezantuar me produktet e tyre, anëtarë të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Atdheu”, të cilët prezantonin ushqimet tradicionale kosovare në njërën anë të rrugës, ndërsa në anën tjetër ishte skara me qebapë ajo që tërhiqte vëmendjen e çdo kalimtari.

Kryetari i shoqatës “Atdheu”, Xhemshir Zenuni, është shprehur i kënaqur me punën që po bëjnë anëtarët e shoqatës, duke prezantuar kulturën shqiptare edhe në këtë eveniment kulturor të qytetit.

“Në njërën anë jam krenar për punën që kemi bërë në vazhdimësi që nga themelimi i shoqatës ‘Atdheu’, por ajo që më bën të ndihem keq është neglizhenca permanente e rinisë shqiptare ndaj këtyre aktiviteteve. Frikësohem që në një të ardhme të afërt nuk do të ketë kush ta vazhdojë punën që ne kemi bërë deri më tani”, është shprehur Zenuni.

Pos ushqimeve tradicionale të prezantuara nga shoqata “Atdheu”, në program ishte paraparë të dilte para publikut edhe grupi i valltarëve të shoqatës.

Kurt Muller është një nga zanatlinjtë e vjetër të qytetit, i cili kryesisht merret me përpunimin e qeramikës. Ai si dhe shumë të tjerë kishte dalë për t’i prezantuar prodhimet e veta. Në pyetjen nëse është i kënaqur me praninë e vizitorëve, Muller është shprehur i kënaqur, duke shtuar se në shumicën e rasteve fluksi i vizitorëve varet nga koha, nëse është me diell ose me shi.

“Nga produktet që ne shesim, 10 për qind parashihet të dërgohen në Etiopi për ta ndihmuar popullatën e atjeshme”, është shprehur zanatliu Kurt Muller.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat