Mbyllet konsullata shqiptare në New York

Diaspora

Mbyllet konsullata shqiptare në New York

Më: 23 prill 2014 Në ora: 20:19

Këshilli i Ministrave nën drejtimin e zv.Kryeministrit Niko Peleshi miratoi disa vendime në mbledhjen e rradhës së tij. Qeveria vendosi për mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, (SHBA) dhe për hapjen e Zyrës Konsullore pranë Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, (SHBA).


Qeveria gjithashtu vendosi sot që numri i praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për vitin shkollor 2013-2014, për periudhën 1 janar – 15 qershor 2014 dhe periudhën 15 shtator 2014 – 31 dhjetor 2014, të jetë 1 500 veta. Sipas këtij vendimi praktikantët, gjatë periudhës së kryerjes të praktikës profesionale, përfitojnë çdo muaj nga punëdhënësi, drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në masën 16.7%, të përllogaritur mbi pagën bazë minimale mujore 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë.


Qeveria miratoi në parim marrëveshjen e huasë dhe asistencës teknike (grant), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), për pjesëmarrje në financimin e projektit të mikrofinancës në Shqipëri, nëpërmjet një kredie që jepet nga Fondi Islamik i Solidaritetit për Zhvillim (ISFD), në shumën prej një milion USD, një kredie nga vetë fondet e IDB-së, në vlerën 2 670 000 dinarë islamikë dhe një granti të IDB-së, në vlerën 200 000 (dyqind mijë) ID (dinarë islamikë).


Gjithashtu u miratua në parim, dokumentet ndryshuese të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e zhvillimit të rrugëve bashkiake të Tiranës.


Këshilli i Ministrave vendosi kalimin e përgjegjësisë së administrimit të disa mjediseve në katin e tretë të godinës së ish-shtëpisë botuese “Naim Frashëri’, Tiranë, të cilat janë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës, te Komiteti Shtetëror i Minoriteteve dhe Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile për t’u përdorur si mjedise pune nga këto institucione. Sipas vendimit këtyre institucioneve u ndalohet ta ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose t’ua japin në përdorim të tretëve.


Qeveria miratoi edhe marrëveshjen kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë.


Këshilli i Ministrave gjithashtu vendoi miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për partneritetin evropian.


Po kështu u miratua protokolli për zbatimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Moldavisë, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar.


Këshilli i Ministrave gjthashtu miratoi strukturën dhe të organikën për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar. Sipas këtij vendimi numri i punonjësve të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar do të jetë, gjithsej, 133 veta.


Qeveria gjithashtu vendosi për miratimin e rregullave për transferimin në mënyrë profesionale të mbetjeve jo të rrezikshme nga një person te një tjetër brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të informacionit që duhet të përfshihet në dokumentin e transferimit.


Gjithashtu sot qeveria miratoi strukturën dhe organikën e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit. Sipas këtij vendimi numri limit i punonjësve të shërbimit të PMNZSH-së pranë prefektit të qarkut do të jetë, gjithsej, 739 veta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat