Mbrëmja madhështore e festës së pavarësisë së Kosovës në Milano

Diaspora

Mbrëmja madhështore e festës së pavarësisë së Kosovës në Milano

Nga: Gëzim Muçolli Më: 27 shkurt 2023 Në ora: 22:41
Foto nga vendngjarja

Mbrëmja e 23 shkurtit të këtij viti do të shënohet në kalendarin e mërgatës shqiptare si e paharruar apo Nata jonë milaneze.

Jo më kot thuhet se të gjitha rrugët të çojnë në Romë, kur kujtojmë proverbin më të famshëm të kulturës romake  i cili na dëfton metaforën se çfarëdo vendimi të marrim do të na shpie në të njëjtin drejtim, Po atë mbrëmje shumë të ftuar kryesisht nga pjesa veriore e Italisë po përballeshin me lumin e makinave që mbushin rrugët e qytetit, tangjencialet dhe autostradën e Milanos duke ndjekur navigatorin digjital që rrëfente udhën drejt vendtakimit në ndërtesën e Triennales, në rrugën Emilio Alemagna numër 6.

Brenda Pallatit të Arteve aty ku ndodhet Triennalja e Milanos që është institucion kulturor me rëndësi ndërkombëtare ku mbahen ekspozita që janë të mirënjohura në botë, pastaj konferenca dhe takime me vlera për artin, arkitekturën, dizajnin, kinemanë, modën, etj, të enjten Konsullata e përgjithshme e Republikës së Kosovës kishte organizuar festë të madhe.

Drejtuesi i Konsullatës kosovare, konsulli i nderuar z. Diamant Kastrati i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj.Merita, po i priste me mirëseardhje mysafirët e ftuar për ta shënuar përvjetorin e 15-të  të shpalljes së pavarësisë së Kosovës e poashtu edhe 15 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Republikës së Italisë, e cila hapi Ambasadën e saj në Prishtinë me 15 shkurt 2008.

Ambienti i rregulluar mirë me flamujt e shtetit të Italisë dhe të Republikës së Kosovës si dhe me logon zyrtare të këtij përvjetori të pavarësisë, ishte mjaft i madh për ti pranuar të gjithë mysafirët e ftuar në pritjen solemne që filloi në orën 19. Ishin të ftuar edhe miq nga konsullatat e vendeve të ndryshme me seli në Milano, pastaj përfaqësues të institucioneve shtetërore italiane, si dhe ushtarakë të lartë italianë që kishin shërbyer si paqeruajtës në Kosovë. Poashtu edhe drejtues të shoqatave kulturore shqiptare nga qytete të ndryshme të Italisë, që ruajnë me kujdes të veçantë gjuhën dhe trashëgiminë pozitive të traditave tona duke u bërë urë lidhëse e integrimit në shtetin italian.

Në hapje të festës u intonua himni i Republikës së Kosovës dhe ai italian, pastaj të pranishmëve duke iu dëshiruar mirëseardhje iu drejtua me fjalim përshëndetës konsulli Diamant Kastrati. Ai duke folur për shtetin tonë që e përfaqëson në Milano, njohtoi për përparimet e dukshme në çdo fushë dhe sukseset në ndërtimin e shtetit funksional dhe demokratik, me diversitet social dhe ekonomi me rritje të vazhdueshme, me sistem modern ligjor dhe mbrojtje të garantuar të drejtave të njeriut për qytetarët e Republikës. Poashtu ai foli edhe për progresin e  Republikës së Kosovës në luftën kundër korrupsionit si dhe efektin nga rreshtimi i saj krah botës demokratike në kundërshtimin e agresionit rus në Ukrainë.

Pas tij fjalën e mori edhe një mysafire e veçantë, zonja Stefania Sartori, kryetare e komunës Quinto di Treviso. Ajo nuk ngurroi të shprehë emocionet e saj duke thënë se ndodhej aty duke iu falenderuar kontributit të qytetarëve kosovarë të mirëintegruar në Quinto dhe foli edhe për z.Bajram Deskun dhe kontributin e tij që ky vend të jetë edhe më i bukur. Këtu sonte jemi të bashkuar dy popuj , dy shtete që për zemër e kemi paqen dhe demokracinë. Siq e kemi kaluar edhe ne luftën dhe jemi ngritur pas çlirimit edhe ju keni kaluar luftën dhe tani në paqe jeni shteti më i ri dhe keni arritur ta keni identitetin tuaj. Kulturën tuaj nuk duhet ta harroni sepse të jetosh përditshmërinë këtu e të shohësh familjet tuaja se si  punojnë si dhe plot gëzim dhe angazhim krijojnë ura lidhëse që plotësojnë edhe demokracinë tonë,

Në mesin e të ftuarve italianë ishin edhe Dott. Massimo Gaudina shef i Përfaqësisë së Komisionit Europian në Milano, Dott. Roberto Moscatelli kryetar i komunës Figino Serenza, pastaj kolonel Emilio Palermo nga Policia Ekonomiko-Financiare e Milanos, Gjeneral Francesco Mazzotta, komandant provincial i Guardia di Finanza në Milano, kolonel Alessandro Crossato nga Reparti i karabinierëve të shërbimit gjyqësor të Milanos, koloneli i karabinierëve Aldo De Tomaso i cili ka shërbyer në Kosovë në mision të paqes dhe Leandro Cuzzocrea, komandant regjional i policisë financiare të Lombardisë, pastaj zonja Erica Nunzia Castelli shef i policisë, z.Enrico Marcora këshilltar komunal në Milano dhe z. Nicola Visalli nga komuna Baranzante dhe zonja Sabine Antoni nga Fiera di Milano.

Korin diplomatik të akredituar në Milano dhe qytetet tjera të Lombardisë e përfaqësonin konsujt nga konsullatat e Australisë, Shqipërisë, Austrisë, Kroacisë, Sllovenisë, Gjermanisë, Hollandës. Çekisë, Maqedonisë Veriore, Perusë, Katarit, Pakistanit, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Senegalit, Libisë, El Salvadorit, Letonisë,  Turqisë dhe Koresë së Veriut.

Ngrohtësi të veçantë kësaj pritje madhështore i dha edhe prania e të ftuarve të zgjedhur nga mesi i aktivistëve të dalluar dhe udhëheqësëve të shoqatave kulturore dhe shkollave të mësimit shqip në diasporë. Nga Treviso kishte ardhur delegacioni i përbërë nga Bajram Desku, Hetem Zogaj, Gëzim Desku dhe kryetarja e komunës Quinto zonja Sartori; nga Padova Gëzim Muçolli dhe Valdete Llumnica-Muçolli; nga Parma Durim Lika dhe Elvira Lashi-Lika; nga Trentino - Alto Adige z.Tritan Myftiu, Bedri Azemi. Rifat Bajrami, Mirela Tomassini; nga Milano Alban Gjata dhe oficerja për diasporë nga konsullata shqiptare zonja Luljeta Çobanaj që po shoqëronte konsullen e përgjithshme shqiptare zonjën Anila Pojani, e shumë emra tjerë edhe të artit dhe kulturës shqiptare.

Vlen të theksohet se gjatë tërë kohës konsujt e nderuar z. Driton Blakçori dhe z.Besnik Maxhera si dhe asistenti Eraldo Stafa ishin të angazhuar maksimalisht midis mysafirëve të ftuar duke dhënë shembullin e mirë të mikpritjes tradicionale shqiptare dhe përfaqësimit dinjitoz të diplomacisë kosovare.

Pritja solemne e 15 vjetorit të Pavarsisë së shtetit të Kosovës në zemër të Lombardisë do të mbetet si shenjë e lartë e ringjalljes së aktiviteteve kulturore e informuese të diplomacisë kosovare të ndërprera dhunshëm për shkak të efekteve të pandemisë globale të shkaktuar nga virusi Covid-19 në dy vitet e fundit që shkaktoi  numrin më të madh të viktimave në gjithë Italinë pikërisht në këtë regjion.

Të gjithë në ndarje u përshëndetën me fjalët urime dhe mirupafshim në festat dhe përvjetorët e ardhshëm të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat