Policia nis stërvitje masive për t’u bërë ballë turmave

Bota

Policia nis stërvitje masive për t’u bërë ballë turmave

Më: 30 prill 2016 Në ora: 12:35

Rusi – Me ekonominë që gjendet në një situatë të vështirë në këto 20 vitet e fundit dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat janë përcaktuar që të mbahen në shtatorin e ardhshëm, Garda Kombëtare e Rusisë, e krijuar së fundmi nga Presidenti Putin, është duke u stërvitur për t’u bërë ballë trazirave të dhunshme

Kanë kaluar vite që kur protestat në rrugët e Rusisë treguan nerv e karakter me shumicë, duke sjellë me dhjetëra mijëra njerëz në rrugët e Moskës për të demonstruar ashpërsisht kundër mashtrimit në zgjedhje dhe fitimit nga Vladimir Putini, të mandatit si President, për herë të tretë.

Por tani, me ekonominë që ka ngecur në një situatë të vështirë në këto 20 vitet e fundit dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat janë përcaktuar që të mbahen shtatorin e ardhshëm, policia e Rusisë është duke u stërvitur e parapërgatitur për ngjare të reja të dhunshme. Drejtuesit parashikojnë se populli pakënaqësinë e tij për situatën do ta shprehë më me vrull se zakonisht në rrugë.

Më herët në këtë muaj, Putini lajmëroi se ka krijuar një njësi ushtarake, të quajtur Garda Kombëtare, komandanti i së cilës, ish-kryetruproja e Presidentit, do t’i përgjigjet direkt Kremlinit. Kësaj njësie mund t’i jepet e drejta që të qëllojë me armë me municion të vërtetë ndaj turmave, siç kanë sugjeruar ligjvënësit rusë. Zyrtarisht, Garda Kombëtare do të luftojë terrorizmin, trafikun e armëve dhe krimin e organizuar, bashkë me pakënaqësitë popullore.

Por jo zyrtarisht, kjo strukturë, e cila quhet në Rusi si “Rosgvardia”, nga opozitarët konsiderohet si garda pretoriane e Putinit.

Pas lajmit, aktivistët dhe mediat ruse kanë publikuar video të reja të policisë së specializuar për përplasjet në rrugë, e cila i ka shtuar së tepërmi stërvitjet dhe ka punuar për t’u bërë ballë skenarëve të ndryshëm.

Në javën e kaluar, gazeta “Kommersant” raportoi për stërvitjet më të fundit të kësaj njësie, e cila tregoi se si mund t’i zhbëjë përleshjet masive në qytetin e Smolensk-ut, banorët e së cilës janë inatosur së tepërmi nga rrija e kostos së të mirave dhe shërbimeve dhe që i kanë nxitur të dalin në rrugë.

Në këtë simulim, i cili u zhvillua në periferi të qytetit me 325 mijë banorë, Forcat ruse të Ndërhyrjes së Shpejtë përdorin granata shoku, të cilat trullosin turmën, ndërkohë që telat me gjemba krijojnë kordonë për t’i mbajtur larg njerëzit e pakënaqur dhe për t’i izoluar ata në grupe.

Protestuesit ndahen në dy grupe e në vazhdim rrethohen nga telat me gjemba. Më pas, protestuesit më aktivë ndalohen dhe çohen në stacionin e policisë, për procedime të mëtejshme.

Në realitet, gazeta shkruan me ironi se infrastruktura e Smolensk-ut është një nga vendet ku gjasat janë më të mëdha për të ndodhur aksidente.

Të dyja njësitë, të cilat janë përgjegjëse për të qetësuar turmën, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato Speciale, kaluan në Gardën Kombëtare.

“Nuk ka asnjë arsye se përse të krijohet Garda Kombëtare, si strukturë e veçantë në Rusi, duke pasur parasysh se është një nga vendet me një organizim shumë të mirë dhe të disiplinuar ushtarak e policor dhe që gjithnjë është dalluar për strukturimin e njësiteve të veta. Vetëm në mos, drejtuesit janë të shqetësuar rreth trazirave në vend”, tha Mark Galeotti, profesor në Universitetin e Nju Jorkut dhe specialist për sigurinë ruse. Mbështetësit e qeverisë argumentojnë se kjo strukturë e re policore do të ndihmojë edhe më shumë në forcimin e ligjit.

Më herët në këtë muaj, uebsajti “Open Russia”, që është një media “online” kritike ndaj politikës së Putinit dhe që mbështet ish-oligarkun rus, Mikhail Khodorkovsky (u burgos nga Presidenti aktual për një dekadë), publikoi një video, ku Garda Kombëtare po ushtrohej duke shpërndarë dhe bllokuar protestuesit në periferi të kryeqytetit. Këtë herë, protesta e simuluar ishte shumë më e madhe se ajo në Smolensk.

“Protestuesit” në video shfaqen duke ngritur barrikada gome, duke mbajtur në duar flamuj rusë, lituanë dhe të klubit të futbollit, CSKA e Moskës.

Disa elementë të protestuesve, një pjesë të popullit rus, u kujtoi revolucionin Maidan të vitit 2014 në Ukrainë, e specifikisht pirgjet me goma që njerëzit u vinin flakën gjatë dimrit.

Në video shfaqet policia ruse duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke goditur me topa uji. Për më tepër që ujë u hodh edhe nga një helikopter dhe një teknikë e tillë zakonisht përdoret për të shuar zjarret e mëdha. Videoja u publikua disa ditë pasi Putini lajmëroi se po krijonte Njësinë Rosgvardia.

Për më tepër që aktivistët raportojnë se agjencitë e sigurimit kanë blerë armë të reja antiprotesta. Kështu, në Gardën Kombëtare është sjellë një “top-tingull” ose “pajisje me rreze të gjerë akustike”, e ngjashme me atë të përdorur nga policia e SHBA-së kundër protestuesve në Ferguson në vitin 2014.

Protesta e fundit në Rusi, e cila përshkallëzoi në dhunë, ndodhi në vitin 2012 në sheshin “Bolotnaya”, ku protestuesit u përplasën me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që çoi më pas në qindra të arrestuar dhe në dhjetëra të tjerë që u akuzuan nga prokuroria.

Duket se skena të ngjashme pritet që të ketë sërish, me shtetasit rusë, që gjithnjë e më shumë po ndiejnë peshën ekonomike të politikave të shtetit të drejtuar nga Putini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat