Mbështetje me kusht! Hungaria, ujdi bombarduesish me Suedinë para votës për NATO-n

Bota

Mbështetje me kusht! Hungaria, ujdi bombarduesish me Suedinë para votës për NATO-n

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 13:25
Foto nga takimi

Hungaria nënshkroi një marrëveshje për të blerë katër avionë luftarakë nga Suedia, në kohën kur Budapesti përgatitet më në fund t`i japë dritën jeshile kërkesës së për t’u bashkuar me NATO-n pas gati dy vitesh vonesa.

“Ne jo vetëm e ruajmë aftësinë tonë të mbrojtjes ajrore, por do ta rrisim edhe më shumë atë”, tha kryeministri hungarez Viktor Orban në konferencën e përbashkët për shtyp që dhanë me homologun  suedez Ulf Kristersson lidhur me ujdinë e blerjes së katër avionëve luftarakë Saab JAS Gripen.

“Kjo lëvizje i rrit ndjeshëm aftësitë tona ushtarake. Nga ana tjetër, ajo tregon se angazhimi ynë ndaj NATO-s do të forcohet, e po ashtu edhe pjesëmarrja jonë në operacionet e përbashkëta të aleancës”, tha Obran.

Aktualisht, Hungaria i merr me qira avionët Gripen sipas një kontrate të nënshkruar në 2001. Kristersson përshëndeti marrëveshjen dhe tha se “biseda ka qenë konstruktive dhe ne kemi rënë dakord të ecim përpara në fushat e interesave të përbashkëta”.

“Ne nuk pajtohemi për gjithçka, por jemi dakord që duhet të punojmë më aktivisht së bashku kur kemi gjuhën e përbashkët,” shtoi ai. Hungaria, është vend ii fundit që ka mbetur për të miratuar kërkesën suedeze për t’u bashkuar me aleancën ushtarake transatlantike, e për këtë, do të mbajë një votim në parlament të hënën pas ratifikimit të Turqisë muajin e kaluar. Vonesa në ratifikimin e aplikimit të Suedisë për NATO-n acaroi marrëdhëniet e Budapestit me Shtetet e Bashkuara dhe ngriti shqetësime midis aleatëve të saj.

Suedia u përpoq të bashkohej me aleancën ushtarake në vitin 2022 së bashku me Finlandën pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Finlanda ndërkohë, u bë anëtarja e 31-të e aleancës prillin e kaluar, çka dyfishoi gjatësinë e kufirit të NATO-s me Rusinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat