Zyrtarët: Azerbajxhani dhe forcat armene, marrëveshje armëpushimi për Nagorno-Karabakun

Bota

Zyrtarët: Azerbajxhani dhe forcat armene, marrëveshje armëpushimi për Nagorno-Karabakun

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 15:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Azerbajxhani dhe forcat armene arritën një marrëveshje armëpushimi të mërkurën për t'i dhënë fund luftimeve dyditore në rajonin separatist të Nagorno-Karabakut, një rajon që prej dekadash ka qenë një pikë e nxehtë përplasjesh. Lajmi u njoftua nga zyrtarë të të dyja palëve.

Një orë pas shpalljes së armëpushimit, Kryeministri armen Nikol Pashinyan tha se intensiteti i përplasjeve në rajon "ka rënë në mënyrë të ndjeshme". Autoritetet e Azerbajxhanit thanë se kishin ndalur operacionin ushtarak të nisur një ditë më parë, pasi zyrtarët separatistë njoftuan se kishin ulur armët.

Megjithatë nuk është ende e qartë nëse luftimet vazhdojnë ose jo në disa zona.

Të martën, Azerbajxhani sulmoi me artileri të rëndë pozicionet armene në Nagorno-Karabak, një rajon malor që është pjesë e Azerbajxhanit dhe u vu nën kontrollin e forcave etnike armene, gjatë një lufte separatiste në vitet 1990.

Sipas njoftimeve, me dhjetëra njerëz janë vrarë e plagosur gjatë luftimeve të fundit. Konflikti përkeqësoi gjithashtu një situatë të problematike humanitare për banorët që kanë vuajtur mungesën e ushqimit për muaj të tërë.

Përshkallëzimi i tensioneve rriti shqetësimet për një luftë në shkallë të gjerë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, të cilët janë përfshirë në një luftë për rajonin, që nga rënia e ish-Bashkimit Sovjetik. Luftimet më të fundit të mëdha u zhvilluan në gjashtë javë në vitin 2020, kur Azerbajxhani rimori pjesë të rajonit dhe zona përreth tij që i kishte humbur në konfliktet e mëparshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat