Politikanit opozitar rus i vazhdohet paraburgimi

Bota

Politikanit opozitar rus i vazhdohet paraburgimi

Më: 9 shtator 2022 Në ora: 16:23
Politikani rus i opozitës, Ilya Yashin. Fotografi nga arkivi.

Një gjykatë në Moskë ia ka zgjatur paraburgimin politikanit të opozitës, Ilya Yashin, i cili u arrestua në korrik për përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë ruse.

Gjykata e rrethit Basmanny vendosi më 9 shtator se ai duhet të qëndrojë në paraburgim deri të paktën më 12 nëntor.

Yashin, 39 vjeç, është kritik i hapur i Kremlinit dhe një nga të paktët politikanë të shquar të opozitës që është ende në Rusi, pas një eksodi të shkaktuar nga një valë represioni kundër mbështetësve të politikanit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny, dhe kujtdo që flet kundër pushtimit të Kievit nga Moska.

Para arrestimit, ai u gjobit katër herë me akuzën e diskreditimit të ushtrisë ruse për kundërshtimin e tij të hapur ndaj luftës në Ukrainë.

Yashin tha në qershor, pasi u arrestua me akuzën e mosbindjes, se autoritetet ruse po përpiqeshin ta detyronin të largohej nga Rusia, gjë që ai refuzon ta bëjë.

Çfarë ligjesh të reja ka miratuar Rusia pas 24 shkurtit?

Një numër gjithnjë e në rritje i rusëve po ndiqen penalisht në bazë të ligjeve të reja që kanë për qëllim të mbysin kritikat ndaj veprimeve ushtarake të Moskës në Ukrainë.

Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.

Rusia ka futur shtesa në dy nene të rëndësishme të Kodit Penal, përmes një ligji të miratuar më 4 mars.Njëri nen thotë se “veprimet publike që synojnë diskreditimin e përdorimit të forcave të armatosura të Federatës Ruse” dënohen me gjobë dhe burgim nga tri deri në pesë vjet burgim.

Ndërsa tjetri nen thotë se “shpërndarja e qëllimshme e informacionit të rremë në publik lidhur me përdorimin e forcave të armatosura të Federatës Ruse” dënohet me gjobë dhe burgim deri në tre, pesë, 10 ose 15 vjet burgim./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat