Bashkimi kalon në finale të Ligës Ballkanike, takohet me Levski Lukoil

Basketboll

Bashkimi kalon në finale të Ligës Ballkanike, takohet me Levski Lukoil

Më: 14 prill 2018 Në ora: 21:10
Foto nga ndeshja

Skuadra nga Prizreni, Bashkimi të shtunën në Samokov të Bullgarisë e ka siguruar një vend në finalen e madhe të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL).

Kjo është një e arritur e madhe, jo vetëm për klubin prizrenas që shkroi historinë duke u bërë pjesë e Final Four-it të BIBL pas tri vjet pjesëmarrje në këtë garë, por edhe për basketbollin kosovar në përgjithësi.

Bashkimi në gjysmëfinale ka triumfuar ndaj ekipit bullgar, Rilski Sportist në një fund mjaft dramatik me rezultat 72:71 (24:14, 10:21, 25:20, 13:16).

Më të dalluarit në radhët e skuadrës nga Prizreni ishin Aaron Moss me 19 pikë, 9 kërcime e 4 asistime, Vincent Zollo me 15 pikë e 9 kërcime, Mikaile Tmusic me 11 pikë e 4 kërcime dhe Eric Stutz me 13 pikë e 7 kërcime.

Në anën tjetër te Rilski Sportist më efikasit ishin Zlatin Georgiev me 18 pikë e 9 kërcime dhe Yordan Bozov me 17 pikë e 4 kërcime.

Ndërkohë në gjysmëfinalen tjetër të luajtur po të shtunën, fitore ka regjistruar ekipi Levski Lukoil kundër Blokotehna-NB me shifrat 85:81.

Finalja e madhe e Ligës Ballkanike ndërmjet Bashkimit dhe Levski Lukoil do të zhvillohet të dielën, njëjtë sikur edhe ndeshja për vend të tretë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat