Kosova i ka llogaritë e saja kundër Polonisë

Basketboll

Kosova i ka llogaritë e saja kundër Polonisë

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 11:46
Pamje nga një ndeshje

Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka zbarkuar në Torun të Polonisë, ku do të qëndrojë deri më 22 shkurt dhe më pas do të zhvendoset për në Wloclawek, qytetin ku edhe do të zhvillohet ndeshja me polakët.

Ftesës së përzgjedhësit të Kosovës, Brad Greenberg i janë përgjigjur 12 basketbollistë, derisa amerikani Scott Bamforth për shkak të rikuperimit të ngadalshëm nga lëndimi nuk ka mundur t’i bashkëngjitet ekipit, derisa amerikani tjetër i natyralizuar Shawn Jones, është pjesë e këtij grumbullimi.

Kombëtarja jonë do të zhvillojë nga dy stërvitje në ditë gjatë qëndrimit në Torun dhe në Wloclawek.

Kosova do të ballafaqohet me Poloninë më 23 shkurt duke filluar nga ora 19:00 në Wloclawek, kurse më 26 shkurt në Klaipeda do të jetë mysafire e Lituanisë, takim ky që do të luhet me fillim nga ora 19:30.

Të dyja këto ndeshje i takojnë Dritares së Dytë të Grupit C të kualifikimeve evropiane të Kupës së Botës “Kina 2019”,  ku Kosova është në grup me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë.

Duhet theksuar se në dy ndeshjet e Dritares së Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, Kosova ka pësuar disfata, së pari në shtëpi në përballje me Lituaninë dhe më pas si mysafire në ballafaqim me Hungarinë.

Në ndeshjet e Dritares së Parë, kombëtaren e Kosovës i ka munguar Erjon Kastrati, i cili u pati lënduar një ditë para duelit me Lituaninë, gjatë një ndeshje më skuadrën e tij sllovene, Petrol Olimpija. Kastrati tani është i gatshëm për ndeshjet e Dritares së Dytë.

Lista e Kosovës:

1. Dardan Berisha (Basketball Nymburk/Çeki)

2. Erjon Kastrati (Petrol Olimpija/Slloveni)

3. Jaren Sina (Ada Blois Basket 41/Francë)

4. Samir Zekiqi (Trepça)

5. Lis Shoshi (Pieno Zvaigzdes/Lituani)

6. Gëzim Morina (Sixt Primorska/Slloveni)

7. Fisnik Rugova (Sigal Prishtina)

8. Shawn Jones (Dinamo Sassari/Itali)

9. Leonard Mekaj (Golden Eagle Ylli)

10. Alban Veseli (Sigal Prishtina)

11. Granit Rugova (Sigal Prishtina)

12. Arti Hajdari (Rahoveci)

Përzgjedhës i Kosovës: Brad Greenberg

Ndihmëstrajnerë: Ernie Lee Nestor dhe Andin Rashica

Udhëheqëse e delegacionit: Artina Hasani

Fizioterapeutët: Kujtim Shala dhe Admirim Krasniqi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat