Gjashtë ndeshje dhe po kaq fitore për Kamzën në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj.
Skuadra e Glen Prodanit ka marrë dje një triumf me peshë, teksa ka mposhur Besëlidhjen me rezultatin 75-83 në “Asllan Rusi”, takim i prapambetur, i vlefshëm për javën e gjashtë të kampionatit.
Një sukses i merituar i kamzalinjve, përballë kampionëve në fuqi, me Kamzën që vazhdon të mbetet skuadra e vetme e pamposhtur në kampionat. Nga ana tjetër, lezhjanët duket se e kanë humbur statusin e dominuesve absolutë, duke regjistruar humbjen e dytë në gjashtë takime të luajtura, pasi më parë ishin mposhtur në shtëpi edhe nga Vllaznia.
Takimi i mbrëmshëm, siç pritej, dhuroi rivalitet, me Besëlidhjen që bëri më mirë në gjysmën e parë, madje duke shkuar deri në +10 pikë, ndërsa i mori dy periodat 19-16 dhe 22-21, për të mbërritur në pushimin e madh me epërsinë 41-37.
Kamza mori çerekun e tretë 22-25, ndërsa pas 30 minutash lojë rezultati shënonte 63-62 për skuadrën lezhjane. Në periodën e fundit ishin miqtë ata që komanduan në parket, duke fituar bindshëm 12-21, për të vulosur triumfin final me +8 pikë.
Festë e merituar për Kamzën, e cila në këtë takim spikati me 11 3-pikësha, ndërsa Besëlidhja pati një statistikë tepër negative, me vetëm 3 realizime nga 25 tentativa jashtë zone. Me katër lojtarë në dopioshifër pikësh, protagonisti i madh në suksesin e Kamzës ishte Ahamed Mohammed, autor i një triplete dyshifrore: 20 pikë, 14 kërcime, 11 asistime.
Për lezhjanët ishte një paraqitje nën rendiment, ku më i miri ishte Adong Makuoi, me 14 pikë e 7 kërcime. Pas kësaj sfide, Kamza ngjitet në vendin e dytë, por ka një ndeshje më pak se Vllaznia kryesuese, ndërsa Besëlidhja renditet e pesta.