Irani dhe SHBA-të me shpjegime të kundërta për një incident

Azia

Irani dhe SHBA-të me shpjegime të kundërta për një incident

Më: 10 shtator 2017 Në ora: 17:16
Pamje e një luftanijeje amerikane

Irani thotë se ia ka tërhequr vërejtjen një luftanijeje amerikane gjatë shpëtimit të një anijeje në Gjirin e Omanit, derisa Marina e Shtetevetë Bashkuara e ka hedhur poshtë çfarëdo kontakti direkt me forcat iraniane.

Agjencia Tahmin, e linjës së fortë në Iran, ka raportuar sot se luftanija amerikane është larguar pas vërejtjes nga anija ushtarake iraniane, e armatosur me raketa.

Anija iraniane, pastaj e tërhoqi një anije për peshkim, e cila kishte dërguar sinjal për ndihmë pasi kishte probleme.

Por, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një verzion tjetër për këto zhvillime, për të cilat thuhet se kanë ndodhur më 6 shtator.

Marina amerikane tha se patrulla bregdetare, USS Tempest, e ka dëgjuar thirrjen për ndihmë nga një anije e vogël e paidentifikuar, në largësi prej afro 140 kilometrash, nga pozicioni i luftanijes, USS Tempest.

Mëtutje, u tha se një anije tjetër shumë më afër kishte ofruar ndihmë, ndërsa ajo anije kishte komunikuar me forcat detare iraniane.

“Në asnjë kohë nuk ka pasur ndonjë kontakt direkt ndërmjet forcave detare amerikane dhe iraniane”, tha Komanda Qendrore e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara.

Forcat detare të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara disa herë në mënyrë rutinore janë gjetur përballë njëra-tjetrës.

Në muajin gusht të këtij viti, një fluturake pa ekuipazh dhe e paarmatosur e Iranit i është afruar një aeroplani ushtarak amerikan, derisa ai përgatitej të ateronte në aeroplanbartësin e Shteteve të Bashkuara, patën thënë zyrtarët amerikanë në atë kohë.

Më herët, në muajin korrik, Marina e Shteteve të Bashkuara tha se njëri prej helikopterëve të saj kishte hapur zjarr për t’i tërhequr vërejtjen një luftanijeje iraniane, që i afrohej asaj amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat