Izrael-Hamas: Armëpushimi zgjatet me dy ditë

Azia

Izrael-Hamas: Armëpushimi zgjatet me dy ditë

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 08:20
Ushtar izraelit pas njoftimit për zgjatjen e armëpushimit

Izraeli dhe Hamasi radikal islamik ranë dakord për zgjatjen armëpushimit me ndërmjetësimin e Katarit. Pjesë e marrëveshjes është lirimi i pengjeve të tjera dhe i të burgosurve palestinezë.

Pak orë para përfundimit të armëpushimit në luftën Hamas-Izrael, i cili fillimisht ishte planifikuar të zgjaste katër ditë, Izraeli dhe organizata militante islamike palestineze Hamas ranë dakord për zgjatjen e armëpushimit. Armëpushimi që hyri në fuqi që nga mëngjesi i së premtes do të zgjatet me dy ditë, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid al-Ansari. Kjo do të thotë se armëpushimi mund të zgjasë deri të enjten në mëngjes.

Zgjatjen e armëpushimit e konfirmoi edhe Hamas radikal, i cili klasifikohet si organizatë terroriste nga Izraeli, Gjermania, BE, SHBA dhe disa shtete arabe. Sipas Hamasit për dy ditët me të cilat është zgjatur pushimimi, do të vlejnë të njëjtat kushte si për katër ditët e mëparshme.

Image
Armëpushimi mund të zgjasë deri të enjten në mëngjes

SHBA përshëndet zgjatjen e armëpushimit

Zyra presidenciale në Uashington tha se shpreson që pengjet, ndër të cilët ka gjithashtu edhe shtetas amerikanë, do të lirohen më pas nga Hamasi. Në mesin e të rrëmbyerve mendohet se ka tetë deri në nëntë persona me pasaporta amerikane si dhe izraelite. SHBA është aleati më i afërt i Izraelit dhe është angazhuar armëpushim.

Image
Refugjatë palestinezë largohen nga Gaza

Sipas Shërbimit shtetëror egjiptian të informacionit, armëpushimi i zgjatur përfshin edhe lirimin e 10 pengjeve të Hamasit që mbahen në Rripin e Gazës në këmbim të 30 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite. Përveç kësaj do të vazhdojë importimi i furnizimeve mjekësore, ushqimeve dhe karburanteve në Rripin e Gazës.

Shtetet perëndimore për armëpushim më të gjatë

Biden tha se shpresonte për një zgjatje të pauzës në luftimet në Rripin e Gazës. Kjo do të mundësonte lirimin e më shumë pengjeve dhe ofrimin e më shumë ndihmave humanitare për ata që kanë nevojë në Gaza.

Pro një hapi të tillë u shpreh edhe ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna. Do të ishte "mirë, e dobishme dhe e nevojshme" që të zgjatej armëpushimi derisa të lirohen të gjithë pengjet, përfshirë qytetarët francezë, i tha Colonna transmetuesit BFM TV.

Image
A do të zgjatet armëpushimi derisa të lirohen të gjithë pengjet?

Edhe Përfaqësuesi i Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mendon në mënyrë të ngjashme. "Pauza duhet të zgjatet për ta bërë atë të qëndrueshme dhe afatgjatë, ndërsa punoni drejt një zgjidhjeje politike," tha Borrell në kuadër të një takimi të Unionit për Mesdheun në Barcelonë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat