Volkswagen redukton prodhimin e modelit elektrik ID.4

Auto

Volkswagen redukton prodhimin e modelit elektrik ID.4

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 21:24
Volkswagen

Ekspertët e tregut të veturave elektrike pohojnë se rënia e kërkesës në Evropë, është ndikuar pjesërisht nga politika më e fundit e çmimeve e zbatuar nga kompania amerikane Tesla.

Sipas raporteve të mediave gjermane, punëtorët në fabrikën e Volkswagen në Emden, të cilët montojnë modelin elektrik ID.4, dhe së shpejti duhet të montojnë limuzinën elektrike ID.7 të prezantuar së fundmi, do të shkojnë në një pushim të gjatë të paplanifikuar këtë verë për shkak të reduktimit të dukshëm të kërkesës.

Menaxhmenti i fabrikës mori vendim që fabrikat ku prodhohet ID.4 do të ndërpresin punën për gjashtë javë. Përveç kësaj, do të ketë vetëm një turn për dy javë, dhe 300 nga 1500 punëtorët e përkohshëm në gusht nuk do t’u vazhdohet kontrata, pasi prodhimi i ID.7, i cili duhej të fillonte në korrik, është vonuar disa muaj. Në të njëjtën kohë, prodhimi i modeleve Volkswagen me motorë me djegie të brendshme mbetet i pandryshuar.

Pavarësisht nga gjendja aktuale, gjigandi gjerman i automobilave njoftoi vitin e kaluar se do të investonte 1.1 miliardë euro në përshtatjen e fabrikës në Emden, e cila duhet të prodhojë vetëm vetura elektrike në të ardhmen e parashikueshme.

Volkswagen aktualisht prodhon modele elektrike në katër fabrika në Gjermani (Emden, Hanover, Dresden dhe Zwickau), dy fabrika në Kinë dhe dy fabrika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat