Klement Tinaj, një kandidat shqiptar për guvernator të Kalifornisë - Bota Sot
Klement Tinaj, një kandidat shqiptar për guvernator të Kalifornisë

Amerika

E enjte, 26 prill 2018

Klement Tinaj, një kandidat shqiptar për guvernator të Kalifornisë

Më: 8 prill 2018 Në ora: 21:02
Klement Tinaj

Klement Tinaj është një shqiptaro-amerikan 28-vjeçar me banim në Los Anxhelos, i cili ka hyrë në garën për guvernator të Kalifornisë si kandidat demokrat. Ai ka luajtur në disa filma të Hollivudit dhe është pronar biznesesh të vogla. Në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi, zoti Tinaj thotë se ka besim se do të dalë me sukses në këtë garë pasi mosha është thjesht një numër. Zgjedhjet brenda Partisë Demokrate mbahen më 5 qershor, ndërsa zgjedhjet për guvernatorin më 6 nëntor të këtij viti.

Zëri i Amerikës: Zoti Tinaj, ju konkurroni në një garë të vështirë, ku ka shumë kandidatë, në një shtet të madh siç është Kalifornia. Si i shihni shanset tuaja për t’ia dalë mbanë dhe për të fituar në këto zgjedhje?

Klement Tinaj: Siç e thatë, Kalifornia është vërtet një shtet i madh, është ekonomia e gjashtë më e madhe në botë, ka një bujqësi të zhvilluar, është shtëpia e industrisë së filmit dhe e medias sociale. Unë jam kandidati më i ri në garë dhe luftoj për njerëzit e shtresës punëtore, sepse besoj se kandidatët e tjerë kontrollohen nga grupet e interesave të veçanta, nga sindikatat dhe bankat. Unë nuk pres ndihmë nga askush dhe e financoj vetë fushatën. Unë sjell në këtë garë besim dhe shpresë për shtresën punëtore, frymëzoj të rinjtë dhe shërbej si zëri i atyre që nuk kanë zë.

Zëri i Amerikës: Kjo kërkon mjaft guxim, sigurisht. Ju erdhët në Amerikë në moshë shumë të re. Ju ishit vetëm 15 vjeç kur erdhët këtu. Më flisni ju lutem për ëndrrën tuaj amerikane. A është bërë ajo realitet deri tani?

Klement Tinaj: Shumë njerëz vijnë këtu për të kontribuar për ëndrrën amerikane dhe unë jam një prej tyre. Në fakt ky është i vetmi vend në botë ku ëndrrat mund t’i bësh realitet. Mund të ëndërrosh ç’të duash dhe ta bësh atë realitet nëse ke guximin për ta ndjekur ëndrrën dhe për të ndjekur pasionin që ke.

Zëri i Amerikës: Dhe ju keni qenë i angazhuar në industrinë e filmit për një kohë, apo jo?

Klement Tinaj: Po, kam qenë në industrinë e filmit, kam edhe dy shkolla në Los Anxheles, që janë pronë e imja. Kam edhe disa biznese të vogla, jam pronar i festivalit të filmit United International, që është festivali i njëqindtë më i mirë i filmit në botë. Pra, kur i hyra garës për guvernator, pikërisht kjo më frymëzoi, sepse 50 për qind e banorëve të këtushëm punësohen nga bizneset e vogla. Duke qenë pronar biznesesh të vogla, unë e di mirë se sa të vështirë e kanë njerëzit dhe kush vuan më shumë, sidomos njerëzit me ngjyrë dhe komunitetet e varfra.

Zëri i Amerikës: Ju keni luajtur në disa filma me rëndësi dhe me disa aktorë të njohur. Mendoni se kjo mund t’ju sjellë ndonjë mbështetje nga bota e Hollivudit?

Klement Tinaj: Po. Në fakt kam marrë mbështetje nga mjaft aktorë. Kam marrë mbështetje nga muzikantë, të cilët edhe kanë publikuar një video muzikore për fushatën time, që mund ta shihni në YouTube. Mendoj se mund të kemi një shans të mirë kur është fjala për Hollivudin. Në Los Anxhelos ka mjaft aktorë të rinj që po angazhohen. Ky është edhe synimi im, që të ketë sa më shumë të rinj të cilët të fillojnë të angazhohen me vepra konkrete në komunitetet e këtushme.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test