Dioguardi: Donald Tramp gëzon respekt për shqiptarët

Amerika

Dioguardi: Donald Tramp gëzon respekt për shqiptarët

Më: 13 nëntor 2016 Në ora: 18:30
Joseph DioGuardi, ish-kongresmeni amerikan

Joseph DioGuardi, ish-kongresmeni amerikan me origjinë arbëreshe, ose Joe, siç i pëlqen ta thërrasin shkurt, shprehet në një intervistë për “Vizion Plus”, se presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Tramp gëzon respekt për shqiptarët. DioGuardi, që ka shërbyer në Dhomën e Përfaqësuesve si republikan, është i sigurt se presidenti i zgjedhur Tramp i njeh shqiptarët, për shkak se mijëra prej tyre punojnë në bizneset e tij në Nju-Jork, dhe gëzon respekt për ta.

Kongresmeni DioGuardi thekson edhe njëherë se nuk ka kurrfarë deklarate të Tramp pro serbëve dhe kundër shqiptarëve, duke iu referuar një artikulli të rremë të pak javëve më parë. “Ai ka shqiptarë që punojnë kudo në ndërtesat e tij në Nju-Jorkork. Kështu që unë telefonova ndihmësen e tij personale për ta pyetur se si mund të ketë ndodhur që Donald ta ketë bërë këtë. Por Rona m’u përgjigj: Joe, ne e kemi dëgjuar këtë histori, por nuk ka dalë nga ne. Dikush e ka stisur. Ky është një artikull telefonatash. Kjo nuk ka dalë nga ne. Siç duket, dikush nga komuniteti sllav në Çicago po përpiqet ta bëjë të duket sikur ne po mbështesim sllavët, por kjo nuk është e vërtetë”, shprehet Dioguardi.


Joseph Dioguardi është njeriu i parë që i hapi rrugën çështjes shqiptare në Kongresin Amerikan, në fundin e viteve 80. Falë tij nisi një qasje e re e Uashingtonit zyrtar ndaj shqiptarëve. Por DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley, mbeten edhe sot ndër zërat më të fuqishëm pro-shqiptarëve në kryeqytetin amerikan, aty ku përcaktohen politikat e mëdha botërore. Këtë gjë ai zotohet të vijojë të bëjë edhe gjatë administratës së re nën drejtimin e Tramp.

“Unë dhe bashkëshortja ime Shirley do të na duhet të bëjmë punën tonë që të sigurohemi që ai të mësojë se shqiptarët nuk janë vetëm portierë ndërtesash dhe roje sigurimi, por që janë njerëz që ende po vuajnë në Ballkan për shkak të dominimit sllav dhe nga korrupsioni nga vetë shqiptarët dhe nga sllavët, në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri. Kjo është një punë ende e pambaruar. Ne duhet të sigurohemi që t’i shpjegojmë atij që shqiptarët kanë nevojë për vëmendjen e tij. Duhet të kujtojmë se si president ai ka shumë çështje të mëdha: Ai kërkon të ndryshojë planin shëndetësor në SHBA, kërkon të ndryshojë ligjin e taksave, kërkon të punojë për infrastrukturën e Amerikës, kërkon që të ndryshojë rregullat për emigracionin. Tani ne po përpiqemi që të shtojë edhe një plan të tjetër për të, që të ndihmojë edhe shqiptarët. Kjo është ajo çka ne duhet të bëjmë”, thotë Dioguardi në intervistë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat