Sondazhi i AP-NORC: Më shumë rrezik për Trumpin nga hetimet në pritje

Amerika

Sondazhi i AP-NORC: Më shumë rrezik për Trumpin nga hetimet në pritje

Më: 20 prill 2023 Në ora: 21:32
 Ish-presidenti Donald Trump

 Ish-presidenti Donald Trump ka dalë kryesisht i padëmtuar politikisht nga padia e ngritur kundër tij në Nju Jork. Por një sondazh i ri tregon se hetimet në Xhorxhia dhe Uashington mund të rezultojnë më problematike.

Sondazhi i agjencisë së lajmeve Associated Press dhe Qendra për Kërkimin e Marrëdhënieve Publike NORC zbulon se 4 në 10 të rritur amerikanë besojnë se ish-presidenti Trump ka vepruar në mënyrë të paligjshme në Nju Jork, ku ai është akuzuar në lidhje me pagesat e fshehta të bëra për gratë që pretendonin se kishin patur me të marrëdhënie seksuale.

Sondazhi zbulon se rreth gjysma e të gjithë të rriturve amerikanë besojnë se ai ka thyer ligjin në Xhorxhia, ku ai është nën hetim për ndërhyrje në numërimin e votave në zgjedhjet e vitit 2020. 

Sondazhi zbulon se rreth gjysma e të anketuarve mendojnë në mënyrë të ngjashme për rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021 dhe trajtimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në Mar-a-Lago, të dyja çështje nën hetim nga Departamenti i Drejtësisë. 

Anketat tregojnë se akuzat e mundshme në të ardhmen në rastet kundër zotit Trump mund të rezonojnë më thellë me publikun amerikan sesa mbulimi i supozuar i pagesave ndaj aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe grave të tjera në kulmin e fushatës së vitit 2016 - akuza që gati 6 në 10 të rritur amerikanë besojnë se ishin të motivuar politikisht. Ndërsa çështja tërhoqi mbulim intensiv mediatik dhe e bëri atë ish-presidentin e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që u akuzua penalisht, ekspertët ligjorë kanë argumentuar prej kohësh se hetimet e tjera paraqesin rrezik potencial shumë më serioz. 

Rasti i Xhorxhias, në veçanti, ka të bëjë edhe me disa mbështetës të vjetër të zotit Trump. 

Sondazhi ofron prova të mëtejshme se Trumpi është përballur me pasoja të kufizuara politike nga aktakuza, e cila rezultoi në një përfitim masiv për grumbullimin e fondeve. Fushata e tij ka grumbulluar më shumë se 15 milionë dollarë që kur u publikua lajmi i aktakuzës – një pjesë e madhe nga donatorët e rinj. 

Ndërsa sondazhi zbulon se vetëm 30% e amerikanëve, përfshirë 55% e republikanëve, thonë se duan që zoti Trump të kandidojë përsëri për president në vitin 2024, këto shifra kanë ndryshuar pak nga një sondazh i AP-NORC i kryer në janar. Mbështetja për zotin Trump ka mbetur gjithashtu konstante: 34% e të rriturve amerikanë në përgjithësi dhe 68% e republikanëve thonë se kanë një opinion të favorshëm për të, ngjashëm me tre muaj më parë. 

Megjithatë, ish-presidenti Trump, i cili mbetet kandidati kryesor i padiskutueshëm për nominimin e republikanëve, do të përballet me rryma të kundërta nëse ai fiton nominimin republikan./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat