Roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare gëzon një mbështetje më të madhe krahasuar me Kinën, sipas një sondazhi të organizatës ‘Gallup’, publikuar të hënën.
Megjithatë në raport thuhet se pavarësisht se një numër më i madh vendesh mbështesin në këtë aspekt Uashingtonin, mbështetja globale si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Kinën rezulton të jetë ulur në vitin 2023.
Studimi sqaron se megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë mbështetje më të madhe se Kina përsa i takon rolit udhëheqës në botë, kjo mbështetje luhatet në varësi të faktit se kush udhëheq vendin.
Të dhënat e Gallup-it gjatë gati 20 viteve tregojnë se udhëheqësit demokratë kanë një mbështetje më të lartë globale, sesa ata republikanë.
Nga 133 vende të anketuara në vitin 2023, Shtetet e Bashkuara ruajtën avantazhin në 81 prej tyre ndërsa Kina në 52. Kosova është vendi që ofron mbështetjen më të madhe për Uashingtonin, ndërsa Kina gëzonte avantazhin më të madh në Rusi.
Miratimi që gëzon një fuqi botërorë në një vend ku ka interesa është i rëndësishëm për të ushtruar ndikim, si dhe i ofron shanse më të mira për të realizuar objektivat e tij, thuhet në sondazh.
Por pavarësisht se Shtetet e Bashkuara kanë një avantazh të qartë, mbështetja si për Pekinin ashtu edhe për Uashingtonin është ulur dhe sipas organizatës Gallup një gjë e tillë "sugjeron një mungesë në rritje të entuziazmit për këto dy fuqi globale".
Megjithë rënien, dy vendet kanë shënuar përparime në lidhjet që kanë krijuar me pjesë të caktuara të botës. Kina me vendet afrikane si Tanzania, Uganda, Afrika e Jugut dhe Malavi ndërsa Shtetet e Bashkuara me vendet aziatike si India, Filipinet, Koreja e Jugut dhe Vietnami.
Sipas raportit "veprimet e Kinës për t'u treguar muskujt fqinjëve të saj duket se janë parë si kërcënim gjë që i ka nxitur këto vende drejt orbitës së Shteteve të Bashkuara", duke iu referuar me gjasë agresionit të vazhdueshëm të Pekinit në Detin e Kinës Jugore.
Mbështetja neto këtë vit mund të varet nga një sërë faktorësh, të tillë si ndryshimet në udhëheqje ose konfliktet e mëdha globale.
2024-a është viti me numrin më të madh të proceseve zgjedhore të regjistruar në historinë botërore, kur më shumë se gjysma e popullsisë së botës, në më shumë se 50 vende, po mbajnë apo po shkojnë drejt proceseve zgjedhore.
Julie Ray, bashkëautore e raportit, thotë se ndikimi i zgjedhjeve të këtij viti do të jetë i vështirë për t'u parashikuar, duke shtuar se këtë vit “vendoset fati i shumë çështjeve”.
Miratimi që gëzon Uashingtoni përsa i takon rolit udhëheqës në botë mund të vihet në pikëpyetje pasi Presidenti Joe Biden ka marrë kritika brenda dhe jashtë vendit lidhur me mbështetjen e vazhdueshme për Izraelin në raport me atë çfarë po ndodh në Gazë, ku deri tani janë vrarë më shumë se 30 mijë palestinezë.
Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake kundër Hamasit pasi grupi militant sulmoi shtetin hebre më 7 tetor, duke vrarë 1200 persona dhe marrë peng rreth 250 të tjerë.
Ndikimi që do të ketë mbështetja që SHBA-të për Izraelin "mbetet realisht për t'u parë", thotë zonja Ray, duke shtuar se “gjatë kohës që u krye anketimi në vitin 2023, para dhe pas 7 tetorit, nuk ishin vënë re dallime të mëdha të njëtrajtshme në miratim", për rolin udhëheqës të Uashingtonit.
Zonja Ray shtoi se mbështetja amerikane për Izraelin pati një ndikim të dukshëm në mbështetjen që Uashingtoni ka brenda Izraelit, duke thënë se vlerësimet u rritën "në nivele rekord".
Sipas Gallupit niveli i mbështjetjes së Uashingtonit në Kosovë, vendi që ka ofruar mbështetjen më të madhe për rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, rezultonte në plus 154 për qind, ndërsa në Rusi, mbështetësja më e madhe e Kinës, në -132 për qind./VOA