Padi gjyqësore për të gjetur shkaqet, fajtorët për shembjen në Florida

Amerika

Padi gjyqësore për të gjetur shkaqet, fajtorët për shembjen në Florida

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 06:55
Florida

Ndërkohë që vazhdojnë kërkimet në skenën e tragjedisë në Sërfsajd të Floridas, vazhdon procesi që kërkon përgjigje për shkaqet dhe fajtorët për këtë tragjedi.

Autoritetet kanë hapur hetime penale e civile lidhur me shembjen e ndërtesës 12 katëshe që ka lënë 32 të vdekur ndërkohë që nuk u dihet fati 117 të tjerëve. Juristja e komunës Majami, Katherine Fernandez Rundle është zotuar ta paraqesë çështjen para trupit gjykues pa vonesë dhe juria mund të rekomandojë ngritjen e akuzave penale ose thjesht të hetohen shkaqet dhe të sugjerohen reforma.

Të paktën pesë padi janë ngritur në emër të banorëve që shpëtuan gjallë ose mendohet se kanë vdekur. Një jurist i përfshirë në një nga çështjet tha se shembja ngre shqetësime lidhur me probleme të infrastrukturës si dhe mbi besimin që u japim atyre që merren me garantimin e sigurisë.

“Ne meritojmë të hyjmë në ndërtesa pa u shqetësuar se do na shemben sipër kokës. Meritojmë ta dimë se njerëzit e dashur që shkojnë të flenë një natë nuk do të shqetësohen se do t’u shembet banesa në mes të gjumit,” tha Jeffrey Goodman, firma e të cilit në Filadelfia ka ngritur padi në emër të fëmijëve ende të pagjetur të banorit të ndërtesës Harold Rosenberg.

Paditë e paraqitura deri tani akuzojnë Shoqatën e Rezidentëve të banesës Kullat Jugore Champlain dhe në disa raste një arkitekt dhe inxhinier lokal për neglizhencë sepse nuk kishin adresuar problemet e ngritura në një raport të vitit 2018.

Në një seancë me dëshmi të premten, një gjykatës emëroi një jurist për të përfaqësuar interesat e Shoqatës së Rezidentëve, pasi vetë anëtarët e bordit kanë kaluar një periudhë traumatike. Një prej anëtarëve nuk është gjetur ende.

Bordi është i siguruar për një shumë prej 48 milionë dollarësh, ndërsa toka në breg të detit ka vlerë 30-50 milionë dollarë, u tha në seancë.

Gjykatësi tha se shpreson që paditë të zgjidhen shpejt, ndoshta brenda një viti. Deri në atë moment, ai autorizoi specialistin – juristin Michael Goldberg, t’i japë nga 10 mijë dollarë secilit banor për të siguruar strehim të përkohshëm dhe 2000 dollarë për të mbuluar shpenzimet për varrim.

Juristi Robert Mongeluzzi, i cili gjithashtu përfaqëson familjen Rosenberg, tha se këto padi nuk ngrihen thjesht për para.

“Ato bëhen që të zbardhen ngjarjet. Ne besojmë se provat dhe faktet ekzistojnë”.

Juristët që përfaqësojnë Shoqatën e Rezidentëve nuk iu përgjigjën kërkesës së agjencisë së lajmeve Associated Press për komente.

Një rast që mund të përdoret si pararendës është shembja në 2013 e murit të vetëm të një ndërtese që ishte shkatërruar pjesërisht, duke rënë mbi një dyqan ku mbetën të vdekur gjashtë vetë dhe u plagosën 13 të tjerë. Një grua u gjet gjallë 13 orë pas aksidentit, por humbi të dyja këmbët dhe iu nënshtrua gjatë jetës 30 operacioneve për shkak të pasojave.

Procesi gjyqësor përfundoi duke shpallur fajtor pronarin e ndërtesës, si dhe arkitektin dhe palët fajtore pranuan të paguajnë 227 milionë dollarë dëmshpërblime.

Në procesin penal, arkitekti kërkoi imunitet në shkëmbim për bashkëpunimin me prokurorët, ndërsa kontraktori u liria nga akuzat për vrasje aksidentale të nivelit kriminal por u dënua me 15-30 vjet burgim për vrasje të paqëllimtë. Operatori i një piruni transporti, i cili kishte pirë ilaçe të dhëna me recetë për lëndime fizike, u dënua me burgim.

Në Filadelfia aksidenti solli forcimin e rregulloreve për strukturat ndërtimore dhe shembjen e kontrolluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat