Burimet: Administrata e Presidentit Biden do t’i dërgojë Izraelit një paketë të re ndihme ushtarake

Amerika

Burimet: Administrata e Presidentit Biden do t’i dërgojë Izraelit një paketë të re ndihme ushtarake

Më: 15 maj 2024 Në ora: 06:13
Joe Biden

Administrata e Presidentit Biden u ka thënë ligjvënësve kryesorë amerikanë se po i dërgon Izraelit një paketë të re ndihme prej më shumë se 1 miliard dollarësh në armë dhe municione, thanë të martën tre ndihmës të anëtarëve të Kongresit.

Kjo është dërgesa e parë e armëve për Izraelin që njoftohet nga Uashingtoni që kur Presidenti Biden ngriu në fillim të muajit një transferim armësh ku përfshiheshin rreth 3,500 bomba.

Administrata e Presidentit Biden tha se e ndërpreu transferimin e mëparshëm me qëllim që Izraeli të mos i përdorte bombat në ofensivën ndaj qytetit Rafah të Gazës, ku janë grumbulluar një numër i madh njerëzish si rezultat i konfliktit.

Ndihmësit e ligjvënësve folën në kushte anonimiteti për transferimin e armëve.

Paketa që po dërgohet përfshin municione tankesh me një vlerë prej 700 milionë dollarësh, 500 milionë dollarë në automjete taktike dhe predha mortajash që kapin vlerën e 60 milionë dollarëve, thanë ndihmësit.

Nuk ka të dhëna se kur do të dërgohen armët, ndërsa Izraeli ka shtatë muaj që vazhdon luftën kundër Hamasit në Gaza. Gazeta “Wall Street Journal” ishte e para që raportoi për paketën në fjalë. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po planifikonin këtë javë të shtronin për diskutim një projektligj për të mandatuar dërgimin e armëve sulmuese për Izraelin.

Republikanët e kanë kritikuar ashpër vendimin e javës së kaluar të Presidentit Biden për të ngrirë dërgesën e armëve për Izraelin. Ata argumentojnë se vendimi përfaqëson braktisjen e aleatit më të afërt të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Shtëpia e Bardhë tha të martën se Presidenti Biden do t’i vinte veton projektligjit nëse do të miratohej në Kongres. Projektligji gjithashtu nuk ka praktikisht asnjë shans të miratohet në Senatin e kontrolluar nga demokratët.

Por demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve janë të ndarë lidhur me këtë çështje. Rreth 20 ligjvënës kanë nënshkruar një letër drejtuar administratës së Presidentit Biden lidhur me shqetësimin për mesazhin që dërgon vendimi i presidentit për të ngrirë dërgimin e ndihmës ushtarake për Izraelin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat