NJU JORK - Në fillim të gjyqit për korrupsion, prokurorja federale Lara Pomerantz, e portretizoi senatorin demokrat amerikan Robert Menendez si një politikan lakmitar, i gatshëm të ndihmojë qeveri të huaja e të ndërhyjë sikurse tha ajo, në hetime penale lokale në këmbim të ryshfetit. Ajo përmendi edhe shufrat e arit.
Zonja Pomerantz u tha të mërkurën anëtarëve të sapo zgjedhur të jurisë se senatori i lartë i Nju Xhërsit përdori gruan e tij si ndërmjetëse, duke u përpjekur të ndihmonte Egjiptin që të siguronte miliarda dollarë ndihmë ushtarake amerikane si dhe të ndihmonte bizneset dhe interesat ligjore të dy biznesmenëve nga shteti i tij, të lidhur me çështje kriminale lokale.
“Për vite me radhë, Robert Menendez tradhtoi njerëzit të cilëve duhej t’u shërbente duke marrë ryshfet”, tha zonja Pomerantz në deklaratën e saj hyrëse në gjykatën federale të Manhatanit.
"Ky rast ka të bëjë me një zyrtar publik që udhëhiqet nga lakmia, e që vuri pushtetin e tij të fituar nga populli, në shitje", shtoi zonja Pomerantz. "Kjo nuk ka të bëjë me punën e tij të zakonshme, por kjo ishte politikë për përfitim".
Në deklaratën e tij hapëse avokati i zotit Menendez, Avi Weitzman, i kundërshtoi pretendimet e prokurorisë. Ai e quajti senatorin me tre mandate një "shërbyes të përjetshëm të publikut", të tradhetuar nga gruaja e tij, Nadine Menendez, e cila siç tha avokati, "e mbajti në errësirë" për marrëdhëniet e saj financiare, përfshirë biznesmenët.
"Akuzat e qeverisë se senatori shiti detyrën dhe besnikërinë e tij ndaj këtij vendi janë jashtëzakonisht të rreme", tha zoti Weitzman. "Dëshmitë do të tregojnë se Bob ka bërë punën e tij dhe ai po e bënte atë siç duhet", shtoi ai.
Ndërkohë Nadine Menendez, tha zoti Weitzman "u përpoq të merrte para dhe pauri në çdo mënyrë që të mundte", ndërsa e mbante "Bobin në errësirë".
Senatori është deklaruar i pafajshëm për të 16 akuzat penale, përfshirë atë për ryshfet, mashtrim, pengim të drejtësisë dhe se ka vepruar si agjent i huaj. Gjyqi mund të zgjasë deri në fillim të korrikut./VOA