​Aktakuzë për shpëlarje të parave, mbi gjysmë milioni euro në bankë dyshohen nga shitja e narkotikëve

Aktuale

​Aktakuzë për shpëlarje të parave, mbi gjysmë milioni euro në bankë dyshohen nga shitja e narkotikëve

Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 15:26
Fotoilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj V.M., për shpëlarje të parave”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës 2009–2019 ka futur në sistemin bankar dhe ka qarkulluar gjithsej 542 mijë e 478 euro e 86 centë, para këto që dyshohet se kishin prejardhje nga shitja e paautorizuar e narkotikëve.

Prokuroria njoftoi se paratë kanë qarkulluar përmes llogarive personale të të pandehurit dhe atyre të subjektit afarist “A.” O.P., me qëllim të fshehjes së prejardhjes së tyre kriminale dhe paraqitjes si mjete të ligjshme.

Sipas PSRK-së, i pandehuri ishte shpallur fajtor me aktgjykim të formës së prerë, më 28 maj 2024, për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kësaj periudhe ai kishte realizuar deponime dhe tërheqje të vazhdueshme të parave të gatshme në disa institucione financiare në Kosovë, përfshirë transaksione të përsëritura brenda së njëjtës ditë ose në intervale të shkurtra kohore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat