​Kryesia e Kuvendit nuk ia vazhdon mandatin Komisionit hetimor për rezervat

Aktuale

​Kryesia e Kuvendit nuk ia vazhdon mandatin Komisionit hetimor për rezervat

Më: 29 mars 2024 Në ora: 14:41
Foto nga vendngjarja

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka mbështetur kërkesën e opozitës për të vazhduar edhe për tre muaj punën Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore. Kjo nga opozita u konsiderua si një prej ditëve më të këqija të jetës parlamentare në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, akuzoi partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje se ka vendosur një precedent të keq në Kuvend, duke dëmtuar njërën prej shtyllave kryesore të demokracisë në Kosovë.

Gashi: Sot njëra prej ditëve më të këqija të parlamentarizmit në Kosovë

“Sot është njëra prej ditëve më të këqija të parlamentarizmit në Kosovë. Me insistimin e LVV-së, sot merr fund përfundimisht njëra prej shtyllave të demokracisë që është mbikëqyrja parlamentare. Sot LVV i dha fund njërës prej shtyllave kryesore të demokracisë dhe ndërtoi precedentin afatgjatë fatkeq për Kosovën. Nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë shumicë parlamentare që të sabotojë qëllimisht një komision dhe në fund të pamundësojë vendimmarrjen në atë komision parlamentar”, tha Gashi.

Kritika shprehu edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili tha se shumica ka tendencë të bllokojë punën e opozitës.

Tahiri: Mazhoranca po bllokon zbardhjen e të vërtetës në Kosovë

“Ka një tendencë të shumicës ta bllokojë secilën punë që e zbardh të vërtetën në këtë vend. Ka një kërkesë që të shtyhet mandati i Komisionit hetimor për rezervat shtetërore... Është precedent tepër i rrezikshëm në demokraci dhe jetën parlamentare që shumica ta ngulfasë jetën parlamentare”, deklaroi Tahiri.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka mohuar akuzat e opozitës, duke thënë se ato janë të pasinqerta në diskutimin politik me mazhorancën.

Kusari-Lila: Opozita e pasinqertë në diskutimin politik

“A është kërkesë primare themelimi i komisionit hetimor parlamentar, i cili mandatin e ka 3-6 muaj apo kërkesë është shkuarja në zgjedhje. Për cilindo prej tyre, qoftë për shkuarjen në zgjedhje apo themelimin e një komisioni hetimor do të duhej të kishte një konsensus politik apo diskutim ku prezantohen objektivat dhe ekziston baza e dialogut politik. Për këtë nuk po e zgjidhin. Ata po zgjedhin mënyrën që dëshirojnë të ballafaqojnë opinionin me domosdoshmërinë e mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme, por pastaj për proces të votimit apo mbarëvajtje të seancës i duhen votat e pozitës. Në këtë situatë duhet të ishte një sinqeritet të diskutimit politik,” tha ajo.

Krahas kësaj, Kryesia ka vendosur që Kuvendi i Kosovës të mbajë dy seanca plenare javën e ardhshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat