Hashim + Ramush + Serbi = Qeveri

Zgjedhjet 2014

Hashim + Ramush + Serbi = Qeveri

Më: 9 qershor 2014 Në ora: 23:10

Analisti Behxhet Shala thotë se rezultati i zgjedhjeve thuajse është ditur, me vet faktin që LDK-ja nuk pranoi të bëjë koalicion as me AKR-në, as me AAK-në. Shala thotë se duke qenë PDK-ja partia e parë, Thaçi është në përparësi të madhe pasi është ai që do të vë kushte për koalicion, e jo partitë që i kanë humbur zgjedhjet.

Ai nuk e beson se Thaçi do të shkojë derë me derë te partitë që t’i lus që të hyjnë në koalicion, por partitë tjera do të shkojnë të Thaçi për të hyrë në Qeveri.

Sipas Shalës, ka pasur bisedime edhe para zgjedhjeve se kush me kë do të bëjë koalicione.

“Ne aspektin ta quaj emocional, kombëtar e patriotik, ndoshta do të ishte mirë që të jetë një koalicion i krahut të luftës, sepse për herë të parë në Kosovë krahu i luftës fiton mbi 62 për qind të votave. Po them për PDK-në, AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen – sepse edhe ajo është krah i UÇK-së. Mirëpo, kjo është e pamundur për faktin se VV nuk donë të hyjë në koalicion as me PDK-në, por as me LDK-në nëse nuk merret parasysh programi i tyre”, thotë Shala.

Shala thotë se nëse do të kishte një koalicion PDK, AAK dhe Nisma, kjo do ta lente në opozitë LDK-në dhe VV-në, që do të ishte shumë e fortë dhe do të ishte shumë mirë për demokracinë.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress se zgjedhjet e djeshme kanë qenë interesante për shkak se e kanë shpërndarë votën në disa subjekte. Sipas tij, kjo nuk ia jep luksin asnjë partie që të jetë shumë e sigurt në koalicionin e ardhshëm qeveritar.

“Mendoj se ekzistojnë dy mundësi. Mundësia e parë është që të bëhet një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së dhe minoriteteve, i cili për mendimin tim nuk do të ishte i mirë për Kosovën. Ndërsa, ideja tjetër është që të bëhet një koalicion mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës e minoriteteve. Ky do të ishte një koalicion më i natyrshëm, por problemi është se edhe ky nuk do të ishte shumë stabil për arsye të përqindjes se vogël të AAK-së dhe Nismës. Prandaj, në çdo konstalacion qeveritar Thaçi do të ketë probleme me stabilitetin e qeverisë së ardhshme”, tha Muhaxhiri.

Partitë që i humbën zgjedhjet, gjatë gjithë kohës kanë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në dhe se nuk do të hyjnë në koalicion nëse nuk e marrin postin e kryeministrit. Por, analistët këtë e shohin si naivitet të partive politike, duke shtuar se është jo morale që t’i humbësh zgjedhjet dhe të kërkosh këtë post.

Shala thotë se një shpëtim për LDK-në do të ishte një ofertë e Thaçit, i cili nuk heziton të japë poste qoftë ministrore, por pa e negociuar postin e kryeministrit.

“Nuk e besoj që Thaçi heq dorë nga posti i kryeministrit dhe nuk është normale të heq dorë nga ky post, aq më parë që i ka fituar zgjedhjet në një situatë thuajse lufte, ku ka qenë vazhdimisht i sulmuar, vazhdimisht i kërcënuar me burg e gjyqe speciale, i fyer duke filluar nga familja e deri tek ai personalisht. Në fund, partia e tij nuk do të lejonte këtë”, thotë Shala.

Muhaxhiri e sheh si naivitet të partive politike vënien e vijave të kuqe për mos hyrje në koalicion me PDK-në. Ndërsa, kërkesën për postin e kryeministrit Muhaxhiri e sheh si kërkesë jo morale, meqë një kërkesë e tillë varet nga votat që marrin në zgjedhje.

“Edhe nga e kaluara kemi parë se partitë dinë t’i hanë fjalët e tyre kur është fjala e përfshirjes në koalicion. Ato i ndryshojnë fjalët dhe mund të veprojnë ndryshe nga ajo çka kanë paralajmëruar. AAK-ja ka thënë se nuk do të negociojë postin e kryeministrit, por me këtë rezultat nuk ka as të drejtë morale që ta kërkojë postin e kryeministrit, sepse do të ishte pandershme prej elektoratit që një parti që ka vetëm 10 për qind ta udhëheq Qeverinë e Kosovës”, theksoi Muhaxhiri.

Muhaxhiri ka përjashtuar çdo mundësi të përfshirjes së Vetëvendosjes në ndonjë koalicion qeverisës, duke qenë se deri më tani kanë qenë me konsistente në fjalët e dhëna.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat