Ancelotti: Kthesa ndaj Baselit! Allegri: Ta mposhtim Malmon

Sporti

Ancelotti: Kthesa ndaj Baselit! Allegri: Ta mposhtim Malmon

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 19:26


Real Madridi zotohet se kthesa do të ndodhë në takim me Baselin, ndërsa Juventusi pret fitore të lehtë kundër Malmos, në ndeshjen e xhiros së parë në Champions League në futboll. Sfida më interesante është në grupin D, ku takohen Dortmundi dhe Arsenali. Dy skuadra më lojtarë të dëshmuar dhe sa herë janë takuar kanë dhënë maksimumin mbase dhe rezultati ka qenë i paparashikueshëm në mes tyre. Dortmundi është si vendas, por gjithnjë ka pasur telashe me “Topçinjtë”. Reali që nuk është askund në dy takimet e fundit në Spanjë dhe ka pësuar humbje, nesër në orën 20.45 (në grupin B), premtojnë fitore ndaj kampionit zviceran, Baseli dhe mu këtu të ndodhë edhe kthesa e kampionit në fuqi evropian. Carlo Ancelotti në konferencën për shtyp para sfidës së Championsit, tha: “Si trajner më duhet të rregulloj gjërat, sikurse ndodhi edhe vitin e kaluar. Kjo ndeshje ndaj Baselit vjen në momentin e duhur për të reaguar. Besoj se do të zhvillojmë një ndeshje të mirë, e rëndësishme është ta nisim me fitore. Shpresoj të jemi sërish garues në një garë të cilin duam ta fitojmë sërish”, tha Ancelotti. Vërshëllimat në Santiago Bernabeu në derbin e humbur me me rezultat 2:1 Atleticon iu drejtuan më së shumti portierit Iker Casillas, por për Ancelottin nuk ekziston çështja e portës. “Debati për portën për mua është i mbyllur. Dua të jem i qartë, te Reali nuk ekziston kjo çështje dhe unë nuk dua të nxis spekulimet. Në këtë sezon kurrë nuk do të flas për portierët. Casillas ka shumë eksperiencë dhe karakter, i njeh mirë këto lloj situatash dhe besoj se do të dijë ta kalojë pa problem. Vërshëllimat e publikut? Nëse do të luajmë mirë, tifozët do të jenë më ne, në të kundërt është normale që të na vërshëllejnë”, tha Ancelotti. “Baseli është një ekip i mirë dhe luan një futboll që mua më pëlqen shumë. Është një skuadër dinamike në mbrojtje dhe në sulm. Vitin e kaluan ata fituan në fushën e Chelseat, ndërsa këtë sezon e kanë nisur mbarë dhe janë formë të mirë fizike”, thotë Ancelotti. Nga ana tjetër, kampioni italian, Juventusi, në grupin A takohet me Malmon nga Suedia. Ballafaqimi luhet në Torino dhe Juve është favorit. Trajneri Massimiliani Allegri, beson në fitore. Në dispozicion të Allegrit rikthehet Giorgio Chiellini. “Po më pyesni nëse Juve mund të arrijë deri në çerekfinale të Championsit? Para së gjithash do të kërkojmë të mposhtim Malmon, sepse në Evropë nuk ka sfida të lehta. Grupi ynë duket i lehtë, por edhe sezonin e kaluar ishte i njëjti perceptim dhe në fund Juventusi u eliminua. Të kalosh fazën e grupeve nuk është e lehtë, Malmo ka kondicion fizik më të mirë, ndaj duhet të jemi perfektë”, tha Allegri. Ai tha se do të luftojnë si në Serie A po ashtu edhe në Champions. “Mendoj se organika e Juventusit do të jetë garuese si në Serinë A ashtu edhe në Champions”, thotë Allegri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat