UEFA, shkrim për talentet shqiptarë

Sporti

UEFA, shkrim për talentet shqiptarë

Më: 7 shkurt 2014 Në ora: 09:56

Një copë Shqipërie edhe në futbollin e madh Europian. Faqja zyrtare e UEFA-s publikon një listë të gjatë emrash të lojtarëve që mund të konsiderohen si kandidatët e mundshëm për të marrë mbi shpatullat e tyre trashëgiminë e Lionel Messit. Mes shumë emrave të rinj dhe të talentuar të futbollit europian, UEFA shkëput edhe dy të rinj me origjinë shqiptare, të cilët militojnë në klubet që po bëjnë ligjin në kontinentin e vjetër. Ata janë Xherdan Shaqiri dhe Adnan Januzaj, të cilët konsiderohen si Lionel Messët shqiptarë. Në dritaren kushtuar dy lojtarëve me origjinë shqiptare, theksohet se në vendin e lindjes së prindërve të tij, Shaqirit nuk ia kanë falur ende që ai zgjodhi kombëtaren zvicerane. “Ata më thërrasin mua me shumë nofka, dy prej të cilave janë Messi dhe tradhtar”, citohet Shaqiri nga UEFA.com.

Në vijim, shkrimi përqëndrohet te Adnan Januzaj, i cili ndryshe nga lojtari i Bayernit të Mynihut, nuk e ka marrë ende një vendim për kombëtaren që do të përfaqësojë. “Tashmë shpresat janë përqëndruar te Messi tjetër shqiptar, lojtari i Manchester United, Adnan Januzaj, i lindur në Belgjikë nga prindër kosovarë. Unë e di çfarë duan shqiptarët por për momentin dua të përqëndrohem te karriera me Manchester United”, thotë 18-vjeçari. Një Shqipëri e vogël por që falë klasit dhe përkushtimit që po tregojnë këta dy të rinj, po bëhet më e rëndësishme në hartën e madhe të futbollit botëror sepse ashtu si Greqia me Giannis Fetfatzidis, Rumania me Gabriel Torje apo Bullgaria me Radoslav Dimitrov, vendi jonë nuk konsiderohet një qoshe e humbur e një gadishulli të ndarë mes mijëra problemesh. Adnan Januzaj dhe Xherdan Shaqiri, luajnë ose jo për Shqipërinë, tashmë janë kthyer në një vitrinë për lojën e topkëmbës në vendin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat