Federata Botërore e Hokejit shtyn vendimin për rikthimin e Rusisë në garat ndërkombëtare

Sporti

Federata Botërore e Hokejit shtyn vendimin për rikthimin e Rusisë në garat ndërkombëtare

Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 13:12
Pamje nga një ndeshje e hokejit

Pas reagimeve të shumta dhe kërcënimeve për bojkot nga kampionia e botës, Finlanda, si dhe nga disa shtete të tjera evropiane, Federata Botërore e Hokejit në Akull (IIHF) ka vendosur ta shtyjë vendimin për pjesëmarrjen e Rusisë në Kampionatin Botëror në Gjermani dhe në turnetë e tjerë ndërkombëtarë.

Në një komunikatë pas mbledhjes së fundit, IIHF bëri të ditur se ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe se vazhdon të jetë e zhgënjyer me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).

“IIHF është në dijeni të deklaratave të fundit të palëve kryesore të përfshira në këtë çështje dhe po analizon me kujdes skenarët e ndryshëm që lidhen me vendimin e CAS-it“, thuhet në komunikatën e federatës.

Sipas IIHF-së, pasojat globale të këtij vendimi dhe sfidat që ai ka shkaktuar janë nënvlerësuar ndjeshëm. Informacione të tjera pritet të bëhen publike gjatë ditëve në vijim.

Finlanda dhe shtetet e tjera paralajmërojnë bojkot

Të martën u krijua një kundërshtim i gjerë ndaj mundësisë së rikthimit të Rusisë në garat ndërkombëtare.
Fillimisht, Finlanda, kampione në fuqi e botës, njoftoi se nuk do të luajë kundër Rusisë. Në vazhdim, këtij qëndrimi iu bashkuan edhe: Suedia, Norvegjia, Danimarka, Letonia, Çekia.
Reagimi i fuqishëm i këtyre shteteve duket se e ka zënë në befasi federatën botërore.

Sponsori kryesor Shkoda po shqyrton tërheqjen

Një tjetër shqetësim për organizatorët është edhe reagimi i sponsorëve. Kompania Shkoda, sponsori kryesor i garave të hokejit, po shqyrton mundësinë e tërheqjes në rast të pjesëmarrjes së Rusisë.

Edhe politika përfshihet në këtë çështje

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, riafirmoi se Rusia nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të të Rinjve, i cili do të zhvillohet në Edmonton dhe Red Deer nga 26 dhjetori deri më 5 janar.

Qeveria kanadeze kishte bërë të ditur më herët se nuk do të lëshojë viza për pjesëmarrësit rusë.

Ndërkohë, qeveria gjermane ende nuk ka mbajtur një qëndrim përfundimtar lidhur me Kampionatin Botëror, i cili është paraparë të zhvillohet në Gelsenkirchen, Düsseldorf dhe Mannheim, nga 13 deri më 30 maj 2027.
Megjithatë, qeveria gjermane e ka cilësuar vendimin e CAS-it si shumë problematik dhe ka bërë të ditur se do të zhvillojë konsultime me Federatën Gjermane të Hokejit në Akull (DEB).

Një zëdhënës i qeverisë gjermane iu referua gjithashtu politikës kufizuese të vizave ndaj Rusisë, duke theksuar se, në përputhje me udhëzimet e Bashkimit Evropian, vizat për qëndrime afatshkurtra për shtetasit rusë jepen vetëm në rrethana shumë të kufizuara.

Ndërkohë, kryetari i bordit drejtues të DEB-së, Frank Lutz, i cili gjatë fundjavës kishte përmendur si mundësi edhe dorëzimin e organizimit të Kampionatit Botëror, ndodhet në Berlin për të zhvilluar bisedime me përfaqësuesit politikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat