Ministria fsheh fondin grant për sportin, ja si i morën lekët federatat

Sporti

Ministria fsheh fondin grant për sportin, ja si i morën lekët federatat

Më: 6 mars 2024 Në ora: 12:09
Foto ilustrim

Buxheti vjetor i federatave sportive, ose siç njihet ndryshe fondi grant që akordon qeveria për sportin, gjatë viteve të fundit ka prodhuar sistematikisht skandale dhe polemika të forta.

Protagonistja kryesore e këtyre skandaleve ka qenë në çdo rast Ministria e Arsimit dhe Sportit. Vitet e fundit MAS e ka kthyer në modë mos-publikimin e ndarjes buxhetit. Në faqen zyrtare të ministrisë hera e fundit që shfaqet publikisht shpërndarja e buxhetit daton në 2021-shin,.

Publikimi i tabelës së plotë të fondit grant nga gazeta një vit më parë shkaktoi polemika të forta në komunitetin e sportit për sa i përket ndarjes së lekëve. Në sipërfaqe dolën absurditete të shumta, ku federata elitare dhe me rezultate historike kishin përfituar buxhete më të vogla se federata me arritje modeste.

Shembulli konkret ishte Atletika, e cila në vitin që lamë pas e kishte buxhetin më të ulët se Taekuondoja, pasi kështu e kishin menduar ata që i “kopsitin” këto punë në ministri, duke u fshehur pas një udhëzimi kriteresh vlerësimi me një formulë pikëzimi që vetëm transparencë nuk bënte. Duke u kthyer te aktualiteti, te ndarja e buxhetit 2024 për sportin, MAS ka menduar që ta shmangë situatën në të cilën u ndodh një vit më parë, por duke e thelluar edhe më tej skandalin. Këtë herë Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të mbajë gjithçka “top-sekret”, duke refuzuar ta vendosë në dispozicion të gazetës tabelën e plotë të fondit grant 2024.

“Panorama Sport” ka bërë disa kërkesa zyrtare në ministri për të patur tabelën me shumat e buxheteve që ka përfituar çdo federatë, pra për të bërë transparencë se si janë ndarë lekët e taksapaguesve shqiptarë, por këto kërkesa janë refuzuar. MAS ka konfirmuar vetëm se buxheti i ka kaluar secilës federatë sipas formulës së pikëzimit, por pa dhënë asnjë detaj tjetër, pra duke refuzuar hapur bërjen e transparencës. Nga komunikimi me federatat gazeta mëson se buxhetet u kanë kaluar, le të themi me një formulë “nën dorë”, ku çdo federatë di vetëm buxhe tin e saj. Fillimisht fshehja e ndarjes dhe më pas këmbëngulja nga ana e ministrisë për të mos e bërë publik fondin grant 2024 i forcon edhe më shumë dyshimet për abuzime të mundshme ndarjen e lekëve.

Ndërsa e gjithë kjo situatë skandaloze ndodh në një vit olimpik, ku në vend që strategjia dhe programi të fokusohen te Lojërat Olimpike “Paris 2024”, institucioni i sportit vijon me manovrat e dyshimta dhe aspak transparente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat