​Rugova: Do të kemi stadiume e fusha sportive në çdo lagje të Prishtinës

Sporti

​Rugova: Do të kemi stadiume e fusha sportive në çdo lagje të Prishtinës

Më: 27 nëntor 2023 Në ora: 11:56
Foto ilustrim

Drejtori i drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova është i bindur se secila lagje dhe secili fshat në komunë e Prishtinës do të bëhet me infrastrukturë të nevojshme sportive dhe se në këtë plan po punohet me përkushtim maksimal.

Në një intervistë për KosovaPress, Rugova ka thënë se brenda këtij viti është punuar në shumë renovime të terreneve sportive dhe se me të njëjtin ritëm do të punohet edhe vitin e ardhshëm.

Rugova: Po rregullojmë infrastrukturën sportive në të gjithë Prishtinën

“Pjesa e infrastrukturës, zgjerimi i fushave të jashtme sportive besoj që ka shkuar shumë mirë. Jemi munduar me atë kapacitet, më atë kontratë të cilën e kemi pasur që ta zgjerojmë sportin në të gjitha lagjet, në të gjitha fshatrat edhe besoj që i kemi prekur shumë lagje të Prishtinës, shumë fshatra, mirëpo prapë nuk është e mjaftueshme gjithë kjo por po presim kontratën e vitit të ardhshëm që të prekim të gjitha lagjet edhe të gjitha fushat e Prishtinës.”, tha Rugova.

Në kuadër të këtij angazhimi, shumë stadiume po bëhen me tribuna të reja, gjë të cilën do ta përfitojë edhe klubi i futbollit “Rilindja”.

Rugova: Ndërtimi i tribunave po bëhet për të gjitha klubet

“Është tribuna e “2 Korrikut” që vetëm sa ka përfunduar pjesa e vrazhdë, është tribuna e “Ramiz Sadikut”, edhe ajo gati ka përfunduar pjesa e vrazhdë, “Flamurtari” ka përfunduar gjysma, “Fc Mati”, kështu që besoj se të gjitha këto janë projekte të cilat vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm, do të shohim që të gjejmë buxhet që edhe klubin e “Rilindjës” t’i bëjmë me tribunë sepse sporti përveç sportive, duhet t’i ketë edhe tribunat dhe zhveshtoret edhe ata prind, ata dashamirë kur shkojnë që ta përcjellin një klub apo një fëmijë të kenë ku të ulen dhe ta shijojnë një trajnim apo një ndeshje futbolli.”, theksoi Rugova.

Tutje, Rugova ka bërë të ditur se së shpejti do të nis edhe ndërtimi i stadiumin të ri në Hajvali.

Rugova: Do të ndërtohet edhe stadiumi i ri në Hajvali

“Së fundi kemi nënshkruar edhe dy kontrata, vazhdon pjesa e dytë e “2 Korrikut”, fillon nga java e ardhshme fillon edhe stadiumi i ri i Hajvalisë, do të thotë edhe klubet e Hajvalisë do ta kenë stadiumin e tyre, ka filluar renovimi i fushës së jashtme sportive te shkolla “Shkëndija” në Hajvali. Këto janë projektet e fundit në të cilat është duke u intervenuar, me shpresë së do t’i kemi disa ditë të mira, pa shi, që të vazhdojnë punimet deri në fund të vitit dhe atëherë ta presim vitin e ardhshëm dhe të vazhdojmë më këto projekte.”, bëri të ditur Rugova.

Sfida e madhe që po e pret kryeqytetin e Kosovës janë edhe Lojërat Mesdhetare 2030, gjë për të cilën Rugova thotë se deri më tani ende nuk është nisur ndonjë punë konkrete në këtë drejtim.

Rugova: Për Lojërat Mesdhetare ende nuk kemi nisur diçka konkrete në infrastrukturë

“Ende pritet të bëhet një komision, komitet organizativ dhe pasi të bëhet komiteti organizativ, atëherë bëhet një analizë e fizibilitetit, vendoset se ku dhe çfarë do të investohet. Po besoj që nga fillimi i vitit të ardhshëm do të fillojnë hapat e parë. Edhe pse 2030-ta duket se është larg mirëpo është shumë afër sepse do të ketë investime të mëdha, përgatitje të mëdha dhe me shpresë që sa më herët të fillojmë do ta kemi më lehtë në fund. Kështu që them në këtë vit nëse arrijmë ta marrim titullin “Prishtina qytet evropian i sportit” edhe Prishtina do të jenë nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, besoj që do të jetë një prej viteve më të suksesshme të sportit në Komunën e Prishtinës, mirëpo edhe në të gjithë Kosovën.”, tha Rugova.

Rugova gjithashtu bëri të ditur se është duke u punuar intenzivisht që në Prishtinë vitin e ardhshëm të nis ndërtimi i një kampusi sportiv ku përfshihet pishina olimpike dhe një stadium i ri për kryeqytetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat