Keçi: Rekord regjistrimesh, kështu promovojmë Tiranën

Sporti

Keçi: Rekord regjistrimesh, kështu promovojmë Tiranën

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 15:55
Debora Keçi

Të dielën organizohet në Farkë edicioni i pestë i Tirana Triathlon, që do të mirëpresë sportistë nga mbi 20 vende të ndryshme të botës.

Në garën e kthyer tashmë në një traditë në vendin tonë, do të ketë sportistë profesionistë, por dhe të pasionuar pas sportit.

Organizatorja e Tirana Triathlon, Debora Keçi tregon për Supersport detajet e këtij aktiviteti që do të ketë tri disiplina të ndryshme sportive.

“Këtë vit, në edicionin e pestë kemi numër rekord regjistrimesh, pasi do të kemi 220 të regjistruar në dy kategori: kategorinë individuale dhe atë në grup. Të cilët vijnë nga 20 vende të ndryshme. Është një mundësi e mirë për të promovuar Tiranën në arenën ndërkombëtare, pasi këta atletë vijnë nga jashtë dhe ikin me përshtypjet më të mira. Kjo na krijon dhe mundësinë e turizmit“.

Keçi zbulon itinerarin që do të përshkruajnë sportistët. Ndërsa thekson se në të ardhmen mund të ketë gara edhe më të gjata.

“Gara që ne organizojmë është distanca sprint, 750 metra not, 20 km biçikletë dhe 5 km vrap që bëhen njëra pas tjetrës. Kjo është distanca me e shkurtër, dhe jo më kot ne kemi zgjedhur vetëm tri gara.

Por në të ardhmen mund ta shtojmë. Nuk ka një numër të lartë që mund të përballojnë një distancë më të gjatë, prandaj kemi qëndruar në këtë distancë.

Në këtë Triathlon do të marrin pjesë dhe shumë të pasionuar të sportit, të cilët si qëllim kanë për të kaluar një fundjavë ndryshe e për të sfiduar veten.

“Kemi një gjeneratë që po bën më shumë sport.

Rezultati për mua ka shumë pak rëndësi, pasi si maratona dhe Triathlonet, përveç grupit të vogël që vjen për të fituar, pjesa tjetër vjen për ta shijuar.

Çdokush që kalon vijën e finishit merr një medalje mirënjohjeje.

Sfida është e gjithsecilit, që e ka me veten e jo me konkurrentët e tjerë”, theksoi organizatorja Keçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat