Nderojnë Shqipërinë!

Sporti

Nderojnë Shqipërinë!

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 11:53
Nderojnë Shqipërinë!

Ky vit ka qenë një ndër më të suksesshmit në historinë e sportit shqiptar për sa u përket medaljeve në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare, me sportistë që e kanë ngritur flamurin tonë kombëtar në shkallën më të lartë të podiumit të evenimenteve madhore.

Përmendim këtu medaljen e artë me rekord të Kampionatit Europian në atletikë nga Luiza Gega, e cila gjithashtu u rendit e pesta në Botëror, si dhe u shpall kampione Mesdheu, duke vendosur edhe rekord në “Oran 2022”.

Titullin kampion Europe në stilin e shkëputjes nga Erkand Qerimaj në peshëngritje, në eventin e zhvilluar në Tiranë. Qerimaj fitoi gjithashtu edhe medalje argjendi në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.

Ndërkohë, duke u rikthyer te sporti i mundjes, përveç triumfit historik me medaljen e artë në Botëror nga Zelimkhan Abakarov, janë regjistruar gjithashtu të tjera suksese të rëndësishme. Përmendim këtu medaljen e artë sërish nga Abakarov në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.

Gjithashtu, rezultate të shkëlqyera ka arritur edhe mundësi Islam Dudaev, i cili ka fituar medalje bronzi në Kampionatin Europian.

Sukseset nuk kanë munguar as me moshat, ku veçojmë këtu peshëngritjen, siç ishin tri medaljet e arit nga Ertjan Kofsha në Kampionatin Europian U-17, apo medaljen e bronzit që fitoi në Botërorin e të rinjve.

Gjithashtu, peshëngritësja e talentuar Enkileda Carja fitoi tri medalje bronzi në Kampionatin Europian U-15. Pra një vit tepër i suksesshëm për sportistët tanë, të cilët kanë arritur që ta thonë fjalën e tyre në kompeticionet më madhore ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat