Thaçi: Situata në shumicën e objekteve sportive është e vështirë

Sporti

Thaçi: Situata në shumicën e objekteve sportive është e vështirë

Nga: Kemajl Goca Më: 18 janar 2022 Në ora: 14:41
Edmond Thaçi

Gazetarët dhe komentatorët sportivë po ballafaqohen me mjaft vështirësi në stadiume dhe objektet sportive, këtë e thotë edhe presidenti i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, Edmond Thaçi. 

Megjithatë ai tregon edhe arsyet pse po shfaqen këto vështirësi në shumicën prej stadiumeve dhe objekteve sportive.

Thaçi në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, flet për punën dhe sfidat që kaluan në vitin 2021, për takime të ndryshme në rrafshin ndërkombëtar, a po kërcënohen gazetarët sportivë, cili Kongres do të organizohet në kryeqytetin e Kosovës e cilat do të janë risitë.        

Image

Edmond Thaçi

“Bota sot”: Cila është situata nëpër stadiume dhe palestrat sportive, a ka kushte për gazetarë e kameramanë sportivë?

Edmond Thaçi: Situata në shumicën prej objekteve sportive është e vështirë, sidomos në ato futbollistike. I vetëdijshëm që në shumë qendra të Kosovës, stadiumet futbollistike janë në renovim e sipër, megjithatë kjo aspak nuk e legjitimon skuadrën nikoqire që të krijojë kushte të favorshme për punë për gazetarët sportivë e sidomos komentatorët sportivë.

“Bota sot”: Për dallim nga disa vite, tani si është gjendja në Shoqatën e Gazetarëve Sportivë të Kosovës?

Edmond Thaçi: Është viti i shtatë që jam pjesë e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, katër vite si nënpresident nën udhëheqjen e Arlind Grantollit, kurse tashmë në vitin e tretë prej se unë jam në krye të këtij institucioni sportiv.
Është bërë punë e jashtëzakonshme për këto vite, ku siç dihet jemi të pranuar ndërkombëtarisht në AIPS Evropë dhe Botë si dhe në Asosiacionin e Gazetarëve Sportivë të Evropës Juglindore (SEESJA).

Image

Artan Muhaxhiri e Edmond Thaçi

Ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë për faktin siç dihet, jemi ballafaquar me shumë probleme në rrugëtimin tonë në pranim në AIPS.

Falë punës së palodhshme të bordit të kaluar, kemi arritë që këtë mision ta përmbyllim me shumë sukses. 
Sigurisht që tashmë gjendja është edhe shumë më mirë, për faktin se kemi trasuar një rrugë për të kërkuar suksese tjera. Në gjendjen e tanishme, kemi më shumë gazetarë të rinj, kemi një numër të respektuar mbi 120 gazetarë sporti, kameramanë sportivë, producentë sportivë dhe fotoreporterë, që në proporcion me numrin e banorëve në Kosovë, është numër fantastik. 

Kemi më shumë gazetare femra të cilat bëjnë një punë shumë të mirë në mediume të ndryshme. Kemi një gazetare femër që është edhe nënpresidente e SHGSK-së, (Alba Merovci).

Poashtu kemi shumë më shumë moderatore femra në disa prej televizioneve tona. Pra, konsideroj se është një klimë shumë e mirë e të bërit gazetari në Kosovë, përkundër sfidave që janë. Tek e fundit, vet misioni i gazetarit dhe gazetarisë, është sfidë.
Prej vitit 2019, kur e kam marrë detyrën e presidentit të SHGSK-së, Bordi i tanishëm ka bërë një punë të jashtëzakonshme që këtë shoqatë ta ngrisim në një nivel akoma më lartë. Kjo për faktin që përkundër që ka qenë kohë pandemie, një kohë shumë e vështirë për gjithë globin, megjithatë, ne si bord nuk jemi ndalë asnjëherë që të vazhdojmë punën tonë përpara. 

Kemi marrë pjesë në të gjitha kongreset që i ka organizuar AIPS Bota dhe SEESJA, kemi pas takime të shumta me personalitete të ndryshme botërore, duke promovuar kështu vlerat tona të gazetarisë sportivë, duke vënë kontakte me shumë shtete dhe kolegë, të cilët me shumë kureshtje, kanë dëgjuar për punën e gazetarisë që mbretëron në Kosovë. Në këtë kohë të vështirë pandemie, kemi organizuar çdo vit dy projektet tona kryesore, siç janë çmimet për gazetari sportive “Ali Shala” si dhe turneun në futboll të vogël “Burim Hatipi”. 

Image

Edmond Thaçi

Po ashtu, kemi pas edhe dy konferenca ndërkombëtare, dy seminare me dy emra të njohur të gazetarisë sportive, radio komentatorin e njohur të BBC-së, John Murray si dhe me Jura Ozmec, Sekretarin e Përgjithshëm të AIPS Botës dhe Presidentin e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kroacisë.

Sigurisht se ardhja e tyre në Kosovë, ka qenë një punë shumë e madhe për komunitetit tonë, për faktin se si kurrë më parë, kemi nevojë që të promovojmë dhe sensibilizojmë opinionin botëror për sportin dhe gazetarinë sportive në Kosovë. Kjo është e ditur se i kotribuon edhe gjeneratave të reja në Kosovë, që të marrim përvojë nga personalitete të tilla.

“Bota sot”: Me çfarë preokupohet më shumë shoqata?

Edmond Thaçi: Sigurisht se Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, ka shumë sfida para vetes. Si bord i tanishëm, me takimet e shumta që kemi pas me federatat sportive, institucionet sportive por edhe mekanizma të shumtë vendorë e ndërkombëtarë, kemi ngritë zërin që gazetarët sportivë të kenë kushte optimale për punë.

Kur e them kushte optimale, gjithsesi kam parasysh faktin që në terrenet sportive të jenë vendet e veçanta për gazetarë, të ketë ligj për mbrojtjen e tyre, të jenë të lirë të bëjnë punën e tyre, pra me një fjalë të ketë pushtet ligjor që mbron integritetin e gazetarëve dhe punën e tyre.

Gazetarët sportivë në Kosovë, po ashtu sikurse edhe popullsia në vendin tonë, janë të privuar nga e drejta e tyre që me kohë të pajisen me viza në mënyrë që të përcjellin ngjarjet e ndryshme ndërkombëtare. Lidhur me këtë, jam shumë i nderuar, që së bashku me anëtarët e Bordit, kemi pas shumë takime me ambasadat e huaja në Kosovë.

Nga ta, kemi kërkuar që gazetarët e Sportit, sidomos ata që janë nën ombrellën e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, të kenë lehtësira në procedura për pajisje me viza. I kemi dërguar të dhënat e të gjithë gazetarëve sportivë në Kosovë, në mënyrë që ata në momentin që aplikojnë për vizë, të kenë edhe një dokument që e kemi lëshuar si SHGSK, për të konfirmuar se ai apo ajo gazetare është në marrëdhënie pune dhe ushtron detyrën e gazetarit.

Jam i bindur, se kemi dhënë një kontribut të madh në këtë aspekt. Për këtë, një meritë të jashtëzakonshme e ka edhe kolegu, sekretari i përgjithshëm i SHGSK-së, Artan Muhaxhiri.

“Bota sot”: Cilat janë të arriturat e vitit 2021 dhe cilat janë pengesat në rrafshin ndërkombëtar, kur kihet parasysh se disa shtete ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet?

Edmond Thaçi: E përmenda edhe më herët që pandemia e ka ndal hovin tonë për të bërë gjërat shumë më të mëdha. Edhe në këto rrethana, është bërë punë e jashtëzakonshme. Thamë që kemi vazhduar traditën që së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës të organizojmë konferencën vjetore “Sporti dhe Media”.

Kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me federatat sportive, sidomos me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe presidentin Agim Ademi. Duke marrë parasysh se fokusi më i madh i gazetarëve të sportit në Kosovë është te futbolli, me FFK-në kemi pas shumë takime, dhe vazhdojmë të kemi shumë të tilla për faktin se kemi arritë të marrim një mbështetje të jashtëzakonshme nga FFK-ja, e cila i del në ndihmë gazetarëve të sportit, sidomos në udhëtimet e Kombëtares së Kosovës në ndeshjet e saja që i zhvillon jashtë vendit.

Pengesat kanë qenë të natyrës më shumë që na ka vënë pandemia, ku kemi lënë mbrapa shumë projekte të parealizuara, por jam i bindur se shumicën prej tyre do t’i realizojmë sivjet dhe viteve në vazhdim.
Jam shumë krenar, që me Bordin, kemi pas takim zyrtar në Shoqatën Greke të Gazetarëve Sportivë, ku në Athinë jemi takuar me presidentin Yanis Theodorakopoulos, sekretaren e përgjithshme Aspasia Velonaki si dhe anëtarë tjerë të bordit të Asosiacionit Grek. Ky ka qenë një takim shumë miqësor, sidomos me një vend që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Por, kemi marrëdhënie shumë të mira, më të cilët do të vazhdojmë t’i thellojmë edhe më shumë. Qysh në takimin e parë zyrtar në Athinë, kemi marrë ftesën që këtë vit, pikërisht në Ditën Botërore të Gazetarëve Sportivë – më 2 korrik, të jemi pjesë e aktivitetit të madh që grekët e organizojnë, “Lojërat e Egjeut”. Po ashtu në këtë takim kemi biseduar edhe për projektet e përbashkëta që mëtojmë t’i realizojmë, gjithnjë në funksion të afirmimit të vlerave tona të përbashkëta profesionale.

Po ashtu kemi pas takime të shumta edhe në Shqipëri, me komunitetin e gazetarëve Sportivë në Shqipëri. Me ata na lidhë shumëçka, andaj e kemi parë të rrugës që të kemi bashkëpunim edhe më të madh dhe të ndajmë përvojat tona të përbashkëta. Gjithashtu, jemi pritur edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Ilir Meta në Tiranë. Presidentin Meta e kemi njoftuar për punën e SHGSK-së dhe të gazetarëve sportivë në Kosovë, nga i cili morëm lëvdata për punën e bërë dhe na premtoi mbështetje nga Shteti Shqiptar për temat që na lidhin si komb.

Këtë vit, e përmenda më herët ardhjen e njeriut të dytë të Unionit të Gazetarëve Sportivë të Botës Jura Ozmec në Prishtinë. Ardhja e tij na ka shërbyer shumë për projektet që kemi si SHGSK për të ardhmen.

Dua të ndaj me ju dhe lexuesit tuaj, që ne shumë shpejt do ta marrim konfirmimin zyrtar që në Kosovë ta organizojmë Kongresin e SEESJA-s, pra të Unionit të Gazetarëve Sportivë të Evropës Juglindore, dhe në këtë mënyrë në vendin tonë t’i kemi mbi 200 gazetarë sportivë dhe vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë. Andaj, ne e konsiderojmë si shumë të rëndësishme një projekt kaq të madh, me qëllimin e vetëm që t’i dëshmojmë Evropës dhe Botës që Gazetaria Sportive në Kosovë ka një traditë të madhe dhe të begatë. 

Po ashtu, jemi në kontakte të vazhdueshme me zyrtarët e AIPS-as që në Kosovë të organizojmë edhe evente tjera të mëdha, që për opinionin nuk dua tashmë të shpalos përderisa të vjen koha e duhur.

Pra, me një fjalë, kemi dëshmuar që ne si shoqatë, nuk jemi vetëm numër në këto organizata sportive, por jemi një vlerë e shtuar, që gjithmonë është e hapur për bashkëpunim të ndërsjellë dhe të gatshëm që të marrim mbi supe edhe organizime kaq të mëdha që janë shumë domethënëse për komunitetin tonë në veçanti dhe për shtetin në përgjithësi.

“Bota sot”: Cilat janë risitë për vitin 2022?

Edmond Thaçi: Krahas atyre projekteve që i përmenda më herët, për vitin 2022 kemi shumë plane të dëshirojmë t’i realizojmë. Fatkeqësisht, që vitin e kaluar apo më mirë thënë në dy vitet e kaluara, për shkak të pandemisë, nuk kemi arrit që ta mbajmë edhe Kuvendin e Punës së SHGSK-së, por këtë do ta bëjmë shumë shpejt, në mënyrë që me përpikëri ta zbatojmë statutin e SHGSK-së.

Po ashtu shumë shpejt do të dalin nga shtypi edhe kartelat e reja të anëtarësisë për kolegët gazetarë si dhe do të botohet edhe një doracak për historinë e Gazetarisë Sportive në Kosovë, që do t’i shërbejë shumë edhe gjeneratave të reja që të informohen me rrugëtimin e gazetarëve dhe gazetarisë sportive me dekada.

“Bota sot”: A ka kërcënime si para disa viteve për gazetarët sportivë, sa raste janë raportuar në vitin 2021?

Edmond Thaçi: Fatmirësisht që nuk ka pas raste të dhunës të raportuara për gazetarët sportivë në Kosovë. Përkundër disa kërcënimeve verbale e jo fizike, e them edhe një herë për fat të mirë nuk ka pas raste dhune, e aq më pak humbje jete të ndonjë prej kolegëve. Dashtë zoti që mos të kemi kurrë rast të tilla.

Në fund të kësaj interviste, dua t’i përshëndes të gjithë kolegët gazetarë dhe njëkohësisht t’i inkurajoj që të vazhdojnë të punojnë për sportin dhe për komunitetin.

Ata kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të madh në informimin e drejtë për të gjitha ndodhitë sportive në Kosovë. Po jetojmë në kohë të vështirë akoma me pandeminë, dhe konsideroj se ata janë heronjtë e vërtetë në një kohë të vështirë. 
Dëshmia më e mirë që të bëjmë punë të mëdha, është që të jemi të bashkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat