Ky është shqiptari që dridhi botën në vitin 1984, i pari që fitoi medalje të artë olimpike

Sporti

Ky është shqiptari që dridhi botën në vitin 1984, i pari që fitoi medalje të artë olimpike

Nga: K.G. Më: 10 gusht 2021 Në ora: 12:53
Ky është shqiptari që dridhi botën në vitin 1984, i pari që fitoi medalje të artë olimpike

Sot, me 10 gusht të vitit 2021, bëhen rrafsh 37 vite kur një shqiptar me zemër luani, fitoi medaljen e artë olimpike.

Është Shaban Tërstena, legjenda e sportit shqiptar, që ka fituar medaljen e artë dhe të argjendtë olimpike. 

Ish mundësi i mirënjohur, Tërstena, medaljen e artë e fitoi në vitin 1984 në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të argjendtën në vitin 1988 në Seul të Koresë së Jugut. 

Image

“A është e mundur të harrohet kjo histori?! Sot, 37 vjet më parë, medalja e parë e artë olimpike në Los Anxhelos, në vitin 1984, u fitua nga një shqiptar prej Shkupi.

Më 01.01.1965 ka lindur një djalosh i ri në lagjen e “Jahja Pashës”, një rrugë e pa asfaltuar, me plot gropa e mbushur, me baltë që shkon drejt tek shtëpia ku nëna shqiptare Sadija e kishte lindur, Shaban Tërstenën, i cili më vonë, ky djalosh pas 19 vitesh do të shpallej kampion olimpik me vetëm 19 vjet, një rekord i të gjitha kohërave në historinë olimpike nga viti 1896 e deri më sot!

Ndoshta për shumë njerëz, për dikë kjo ditë, nuk është e rëndësishme, e sidomos për disa nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe në Maqedoni, nga disa fëmijë të prindërve të udbashëve që tani dëshirojnë të tregojnë patriotizëm, të cilët thonë se ishte fitore për një shtet dhe për një flamur tjetër. Është e vërtetë se ne kemi jetuar në atë shtet, edhe 3 milionë shqiptarë, është e vërtetë që është ngritur një flamur tjetër.

Por, mos harroni oh ju udbasha e kopila grekofilë që atje lartë në piedestalin olimpik ka qëndruar me shumë krenari gjaku Arbnor.
E vërtetë është që kam sjellë shumë, shumë medalje, fitore dhe tituj nga çdo cep të botës. Ata kurrë nuk më thanë asgjë, e dini përse...

Unë kam lindur për të ngritur kokën lart, për të mos u përkulur kurrë para askujt përveç Zotit, i cili më ka dhënë forcë dhe shëndet.

Vitet kalojnë vërtet shpejt, por simbolika mbetet në shpirtin e çdo kampioni olimpik përgjithmonë.

Unë kam qenë një nga ata kampionët olimpikë. 

Image

Dhe kjo është arsyeja pse unë mbaj mend sot, saktësisht 37 vjet më parë, kur ora Olimpike filloi të trokiste, për të përmbushur ëndrrën time të fëmijërisë, për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Los Anxhelos për herë të parë dhe për t'u bërë një kampion olimpik.

Mbaj mend që prisja me padurim që ata të kalonin çdo sekondë, çdo minutë, çdo ditë e natë po afrohej momenti më i dashur në jetën time si sportist i cili nuk ishte më një ëndërr, por ëndrra  ime më ishte  bërë realitet.
Më 10 gusht të vitit 1984 në Los Anxhelos, realizova ëndrrën time më të madhe dhe në moshën 19 vjeç arrita të fitoj medalje të artë olimpike.

Për të arritur atje në majën e lartë të Olimpit sportiv, atje ku mund të ngjiten vetëm më të fuqishmit, më të guximshmit. Unë Shaban Tërstena duhej të kaloja një rrugë të vështirë, me gjemba, një golgotë të vërtetë. Për mua si sportist shqiptar, si një djalosh i ri, ishte shumë e vështirë në ato kohë të vështira.

Ishte momenti sikur Zoti i plotë fuqishëm fliste me mua dhe sikur më thoshte: Ti Shaban dhe trajneri yt Hajrush Sinani (ndërroi jetë para ca muajve) mos u dorëzoni, vazhdoni rrugën, sa më shumë punoni sepse do t’ju realizohet ëndrra e fëmijërisë.
Ne vazhduam, edhe pse ne nuk kishim fare kushte, nuk kishim as palestër, as fitnes, prandaj edhe rrugëtimi ishte i gjatë dhe i mundimshëm.

I gjithë ky sukses erdhi, sepse kisha vullnetin dhe vetëbesimin për të stërvitur shumë fortë. Çdo orë, ditë e natë, isha gati për udhëtime të gjata dhe të vështira, isha i gatshëm të fitoj dhe i përgatitur për të ‘dridhë’ pesë kontinentet e botës!

Ëndrra e artë u bë realitet më 10 gusht të vitit 1984, medalja e artë olimpike ishte momenti më i lumtur në jetën time. Ishte një vit i përmbushur me përplot suksese, një djalosh nga lagjja e varfër u bë kampion, më i riu i olimpit, vetëm me 19 vjet!

Sa i përket emocioneve pas ngritjes së dorës së artë si kampion olimpik, nga gëzimi i madh në ato momente zemra ime sportiv më urdhëroi të bëja disa elementë akrobatikë, sallto emocionuese për të përshëndetur të gjithë të pranishmit në sallë, të cilët ishin rreth 15 mijë spektatorë. 
Ishte një përshëndetje për të gjithë familjen time dhe një pjesë e popullit që janë gëzuar fitores time nga arena sportive “Anaheim Convention Center Olympic”.

Më duhet të përmend se gjatë rrugës për në Olimpiadë, unë shkova atje si kampion evropian nga Jönköping - Suedi në vitin 1984, dhe gjithashtu kam marrë pjesë 5 herë në turnetë më të fortë ndërkombëtarë, në përgatitje.

Dhe në të gjitha këto 5 turnetë u bëra kampion duke fituar vendin e parë dhe vetëm një herë isha i dyti.

Kjo ishte rruga drejt këtij triumfi të madh olimpik, për të cilin isha shumë i përgatitur. U stërvit shumë, më doli shumë djersë nga trupi për të arritur titullin olimpik. Por vërtet ia vlente, sepse në jetën tonë kishte vetëm një qëllim, për të cilin ne punuam shumë, së bashku me dy trajnerët e mi legjendar, trajnerin tim të ndjerë, Hajrush Sinani dhe selektorin dhe trajneri Nase Nasev. 

Ata kishin vetëm një qëllim dhe një arsye për të realizuar ëndrrën. Ne kemi qenë së bashku për 20 vjet pa u ndarë as një ditë edhe në kohë shumë të vështira, por kurrë nuk kemi hequr dorë nga motivi që një ditë unë Shaban Tërstena mund të bëhet një kampion olimpik. Me duhet te them që stërvitesha tri herë në ditë, pa kushte luksoze dhe jo në palestra, por stërvitesha në sallat e restoranteve, ku djersa rridhte si lum.

Kështu që unë nuk u dorëzova, as kur isha i ri dhe kisha ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe për të fituar shumë medalje të tjera.
Unë premtova dhe e mbajta fjalën nga shpirti im luftarak!

Katër vite më vonë në Lojërat Olimpike në Seul në vitin 1988, unë sërish shkëlqeva. Përsëri për herë të dytë duke qëndruar në piedestal. Këtë herë duke fituar medaljen e argjendtë, për shkak të lëndimit të gjurit, fatkeqësisht nuk arrita të bëhem kampion olimpik për herë të dytë. Nga 7 lufta që pata unë i fitova të gjitha me radhë, gjashtë yjet më të mirë të mundjes në botë, që vinin nga kombet më të forta në këtë sport luftarak si: Rusia, Irani, Bullgaria, SHBA, Turqia e tjerë. Ato ishin luftëra të rrepta, sepse çdo sekondë dhe minutë ne luftuam për finalen olimpike. Medalja e argjendtë për mu shkëlqeu si ari.

Image

Prandaj, duhet të them që as një Kampion nuk lind, por bëhet kampion vetëm me stërvitje shumë, shumë të fortë me vullnet të madh, me shpirtin luftarak, me shumë sakrifica, duke hedhur shumë djersë nga trupi, me fanatizëm të madh, stërvitesha çdo orë, ditë e natë, në borë dhe shi, vetëm për t'u bërë një kampion i madh.

Ky ishte sekreti im i suksesit në shpirtin tim sportiv! 

Vetëm stërvitje  dhe stërvitje! Unë shkova i pari, por i fundit lashë stërvitjen. Këto janë kujtime të karrierës sime të pasur sportive që dua t’i transferoj tek ata që e duan suksesin”, ka shkruar Tërstena në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat