Cikalleshi: Shpërbleva besimin e trajnerit

Zgjedhjet 2013

Cikalleshi: Shpërbleva besimin e trajnerit

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 17:42

Basaksehir ka barazuar 3:3 në transfer të me Bursasporin, ku protagonist kryesor është bërë Sokol Cikalleshi, i aktivizuar në minutën e 46-të të takimit.

Sulmuesi i Kombëtares ka shënuar dy gola të rregullt, ka qenë vendimtar në golin tjetër të ekipit të tij dhe, për fat të keq, në fund i kanë anuluar një gol të rregullt.

Në një rrëfim për “Panorama Sport” pas ndeshjes, bomberi i kuqezinjve nuk e fsheh kënaqësinë për pikën e marrë dhe rrëfen emocionet e takimit.

“Barazim me shumë vlerë, pasi ishim dy herë në disavantazh. Një ndeshje me të vërtetë e çmendur”, tregon ndër të tjera sulmuesi 25-vjeçar.

Dy gola të mrekullueshëm për futbollistin e Basaksehirit që e çojnë në kuotën e 11 rrjetave të realizuara, për të cilat shqiptari do të marrë edhe premion e parë të përcaktuar në klauzolën e kontratës së sulmuesit.

Sipas saj, lojtari do të merrte një shpërblim monetar nga klubi, në rast se do të arrinte në kuotën e 10 golave gjatë këtij sezoni. Sipas saj, shqiptari ka përfituar 25 mijë euro premio.

E nisni nga stoli, por shënoni dy herë…

Në fakt shënova katër (qesh). Përse katër, a përfundoi 3-3? Përveç dy golave që mbajnë emrin tim, ishte goditja ime me kokë kur ne ngushtuam rezultatin në 3-2, por një prekje e mbrojtësit bëri që t’i shënohej atij si autogol. Jo vetëm kaq, por në fund të ndeshjes kam shënuar edhe një gol tjetër që do të na jepte fitoren, por u anulua për pozicion jashtë loje. Si të mos mjaftonte, kur e pashë pas ndeshjes, kisha qenë në pozicion krejtësisht të rregullt.

Çfarë menduat pasi realizuat roveshatën?

Ishte me të vërtetë një gol i bukur. Pas atij krosimi, nuk e mendova dy herë dhe për fat shënova. Megjithatë, edhe goli tjetër ishte interesant, jo vetëm për kombinimin në fushën e lojës dhe goditjen jashtë zone, por për faktin që na dha një pikë. Ishte gol me vlerë. Duket që më ndjekin të tillë gola (qesh…). Kuptohet që është kënaqësi e shtuar kur një lojtar futet nga stoli dhe shënon. Aq më tepër me gola që janë edhe të bukur nga ana e ekzekutimit. Sinqerisht që më gëzon më shumë fakti që shpërbleva besimin e trajnerit dhe shënova, sesa bukuria e golit.

A ju duket absurde situata që ju e nisni sërish nga stoli ndeshjen, edhe pse po shënonit rregullisht në kampionat dhe në kupë?

Kjo është një pyetje që më është bërë shpesh dhe mbase në përgjigje mund të dukem sikur përsëris. Ajo është diçka që e vendos trajneri. Unë jam i predispozuar që sapo të zbres në fushë, të bëj më të mirën time dhe të shpërblej besimin e trajnerit dhe të skuadrës. Për fat të mirë, këtë gjë e kam bërë duke shënuar rregullisht. Kjo më çliron dhe më qetëson.

Çfarë ju tha trajneri pas ndeshjes?

Patjetër që më përgëzoi. Ai ka besim tek unë dhe kjo është më e rëndësishmja për mua.

Po drejtuesit e skuadrës komunikuan me ju pas takimit?

Po, të pranishëm ishin presidenti e zëvendëspresidenti dhe ishin të kënaqur me lojën e skuadrës. Jemi në luftë për vendin e tretë me Gallatasarajin dhe kjo nuk është pak. Presidenti është me origjinë shqiptare dhe me shaka më tha: “Bravo, bravo! Shqiptari nuk dorëzohet kurrë”, duke buzëqeshur dhe duke më inkurajuar.

Me këtë dygolësh arritët kuotën e parë që ju shpërblen. Kur mendoni se mund të ndaleni?

E rëndësishme është që kam shënuar rregullisht dhe kam ruajtur formën e mirë. Kjo më gëzon dhe më motivon akoma dhe më shumë. Për sa i përket numrit të golave, s’e di. Mbase 15 apo 20 gola.

Ka një diferencë të madhe mes 15 dhe 20…

E di, por është e vështirë që të them një kuotë të caktuar. Kjo, pasi asnjë numër nuk është i mjaftueshëm. Unë edhe nëse them 30 gola, do të dua akoma më shumë. Nuk kënaqem kurrë që të them “kaq është boll”.

Ju ka mbetur peng që nuk keni shënuar ende kundër Fehnerbahçes apo Beshiktashit?

Javën e ardhshme do të luajmë kundër Beshiktashit. Shpresoj të shënoj edhe kundër tyre, që të mos ma bëni këtë pyetje (qesh…).

Premtoni gol?

Është e vështirë të bësh premtime në futboll. Premtoj që do të jap më shumë se maksimumin, sa herë që do të jem në fushë. Kjo është ajo që unë kërkoj nga vetja dhe që e jap gjithmonë për ekipin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat