Skënderbeu fiton derbin

Zgjedhjet 2013

Skënderbeu fiton derbin

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 15:57

Skënderbeu fluturon në krye me Salihi-James. Skuadra korcare rikthehet te fitorja që i mungonte që nga 19 dhjetori i kaluar me suksesin 2-0 ndaj Kukësit të vulosur nga dyshja e re e sulmit. Binomi Salihi-James bindi me gola dhe lojë, merren vesh për mrekulli duke injektuar besim në luftën për titullin.

Kukësi i Duros prezantohej me Emini dhe Da Silvan para në modulin 4-4-2, i njejti rreshtim dhe për Josën që hidhte Orelesin në qendër të mesfushës përkrah Nimagës, duke i dhënë debutimin absolut si titullar James përkrah Salihit. Mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumit kishte mbipopulluar tribunën Vip me delegatin e FSHF Zajmi që shtyu disa minuta fillimin e ndeshjes për të reduktuar numrin në kufijtë e rregullores. Kukësi e nisi me qarkullim por pa mundur të bëjë ndonjë gjë të madhe para dhe rasti i parë i rrezikshëm i përket Skënderbeut, kur Salihi fton në goditje Prognin me Kocin që devijon në këndore. Mjaftojnë 10 minuta për të parë se si funksionojnë Salihi dhe James, nigeriani vallëzon në zonë dhe fton me një krosim perfekt Salihin që shënon me kokë.

1-0 për Skënderbeun që feston, ndërsa Salihi ka një dedikim të vecantë drejt qiellit për babain e ndarë nga jeta pak kohë më parë. Ngjall padyshim entuziazëm te tifozët harmonia mes Salihit dhe James që duket sikur janë shokë skuadre prej kohësh, një tjetër provë vjen në të 13 kur James bën gjeometrin me këtë pasim perfekt për shkodranin që këtë herë gjuan pak jashtë shtyllës së Kocit. Vishet në kostumin e njeriut asist për ti kthyer nderin James dhe një goleador race si Salihi që në të 17 nxjerr James para Kocit i cili si thotë jo nigerianit. Kukësi përpiqet të reagojë me qarkullim por jo shumë efikas me Flores që impenjon Shehin pas gjysme ore lojë nga distanca por pa mundur të prishë festën e tifozëve pas kangjellave të stadiumit, në fakt për pak sa nuk ua ngrin buzëqeshjen Arapi që në krosimin e Micit në minutën e 38 rrezikon një autogol sensacional. Menjëherë më pas Malota gjen të gatshëm në portë Shehin, ndërsa fundi i pjesës së parë sjell dhe festimin e James.

Gol që në ndeshjen e parë me Skënderbeun për James që i duhet të falënderojë Meminin për këtë asist të papritur, padyshim meritat edhe të nigerianit që lirohet nga markimi për të ndëshkuar Kocin. Skënderbeu në avantazh të dyfishtë në dhomat e zhveshjes nga ku kthehet një tjetër Kukës që ka rastin për të shënuar në minutën e 52 por Karioka shpërdorion i vetëm para porte. Gjithsesi mundi i verilindorëve shpërblehet në të 58 kur Dvorenkovic përfiton pas një grushtimi të Shehit në goditjen e Eminit për të ngushtuar distancat.

2-1 dhe Kukësi përpiqet të rrisë volumin por ndëshkohet në momentin më të mirë nga eksperienca e skuadrës korcare dhe mbi të gjitha klasi i Salihit, Latifi e nxjerr të lirë para porte dhe Salihi kalon topin sipër Kocit për golin e 3-1.

Goli i 16 i Hamdi Salihit në këtë kampionat, gjithnjë e më i shkëputur në krye të klasifikimit të golashënuesve. Rivalin më të afërt ka sërish një shok skuadre James, përfundon pas 72 minutash ndeshja e nigerianit që merr duartrokitjet për debutimin me gol. Minutat e mbetura Skënderbeu menaxhon pa shumë probleme rezultatin edhe pse e mbyll ndeshjen me 10 lojtarë me Radas që për ndonjë fjalë më tepër me Shametin merr kartonin e dytë të verdhë në të 90. Episod i panevojshëm por që gjithsesi nuk e prish festën korcare. Skënderbeu është sërish i pari dy pikë para ndjekësve të Partizanin, Kukësi edhe pse dha sinjale pozitive vuan sindromën transfertë edhe në 2016.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat