Partizani shpreson fitore ndaj Flamurtarit

Zgjedhjet 2013

Partizani shpreson fitore ndaj Flamurtarit

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 16:33

Partizani pas barazimit në hapje me rezultat 1:1 me Laçin, tani pretendon fitore kundër rivalit të vjetër, Flamurtarit të Vlorës, në ndeshjen që luhet të premten në orën 20.00, e vlefshme e javës së dytë të Kategorisë Superiore në Shqipëri. Të kuqtë e drejtuar nga Sulejman Starova bënë një start befasues pasi u ndalën në “Qemal Stafa” në sfidën hapëse ndaj Laçit, por mesfushori 23 vjeçar i lindur në Gjirokastër nuk e shikon si shqetësuese situatën, duke theksuar se ndaj vlonjatëve Partizani ka rastin që ta bëjë të harrohet 90 minutëshi ndaj kurbinasve që sipas Bathës nuk ishte i drejtë edhe në arbitrim.

“Një pjesë e lojtarëve që kanë ardhur janë të rinj dhe çdo ditë që kalon është në favorin tonë që të njihemi edhe më shumë me njëri-tjetrin. Flamurtari është një kundërshtar i kalueshëm. Përsa i përket arbitrit të ndeshjes së parë, të gjithë e kemi parë gjykimin në ndeshjen me Laçin, si në golin tonë ashtu edhe në atë të miqve.”
Mesfusha e të kuqve ka humbur një lojtar me cilësi teknike si Nexhipi, i cili do të sfidojë pikërisht Partizanin që drejtoi si kapiten gjatë sezonit të kaluar.

“Më ka rastisur që të luaj kundër ish shokëve të skuadrës edhe në ekipe të tjera. Edhe në stërvitje përherë isha kundër Nexhipit prandaj më pëlqen të luaj kundër tij pasi është një lojtar i mirë.”
Për 23-vjeçarin, Partizani duhet të bëjë kujdes nga sfida e radhës pasi edhe Flamurtari mund të jetë pjesë e skuadrave pretendente për titullin.

“Sigurisht që edhe Flamurtari është favorit në garën për titullin pasi i ka të gjitha mundësitë.”
Ecuria e Skënderbeut në Europë është një motiv më shumë që skuadrat shqiptare të punojnë edhe më fort për të pretenduar suksesin kontinental. Gjithsesi, Batha mendon se diferencat mes korçarëve dhe Partizanit nuk janë të mëdha.
“Më vjen mirë që Skënderbeu ka arritur kaq larg por nuk ka ndonjë diferencë të madhe me ne. Edhe pak fat ka pasur në shortin e Champions League”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat