Turjaka: Është privilegj dhe nder të jem shef i misionit të ekipit olimpik - Bota Sot
Turjaka: Është privilegj dhe nder të jem shef i misionit të ekipit olimpik

Skijim

E hënë, 18 qershor 2018

Turjaka: Është privilegj dhe nder të jem shef i misionit të ekipit olimpik

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 15:34
Bujar Turjaka

Për të pasur një organizim sa më të mirë të përfaqësimit të ekipit olimpik të Kosovës në Korenë e Jugut, padyshim se rol kyç luan edhe shefi i misionit, rol ky të cilin Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, prej muajsh ia kishte besuar Bujar Turjakës, nënkryetar i Federatës Skitare të Kosovës, njëherit profesor i skitarisë në FEFS të UP-së.
Turjaka ndihet i privilegjuar që bashkë me pjesën tjetër të ekipit olimpik të Kosovës, shkroi historinë me pjesëmarrjen e parë të vendit tonë në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018.
 “Duke pasur parasysh që është hera e parë që marrim pjesë në një Olimpiadë dimërore, është privilegj dhe nderë të jem shef i misionit të ekipit olimpik të Kosovës”, thotë në fillim të bisedës, Bujar Turjaka.
Ai po i qëndron pranë ekipit olimpik me në krye skitarin Albin Tahiri, derisa tregon sfidat e ditëve të para.
“Fillimi ka qenë mjaft i ngarkuar, pasi që prej ditës së parë: akomodimi, sigurimi i kartelave të akreditimit, përgatitjet për ceremoninë hapëse të LOD PyeongChang2018, pastaj vizita e presidentit Hashim Thaçi, si dhe gazetarëve të Kosovës dhe të huaja kanë qenë barrë e imja, ndërsa tani kam mundësi edhe t’i bashkëngjitem ekipit në përgatitje dhe në gara”, shton Turjaka.
Por, cila është një ditë e Bujarit në PyeongChang?
“Angazhimet ditore janë shumë të mëdha, duke filluar nga mëngjesi, ku kryesisht takimet organizohen në ora 7:30 të mëngjesit me të gjithë shefat e misioneve të shteteve pjesëmarrëse. Aty paraqiten të gjitha kërkesat dhe eventualisht ndonjë parregullësi, qoftë e qëndrimit në fshatin olimpik apo mënyrës së transportit për sportistët deri në qendrat sportive”, thekson profesori i lëndës së skitarisë.
Përvoja e fituar është një pasuri më shumë për Bujarin.
“Është një përvojë shumë e mirë, pasi që mund të takosh figura shumë eminente të sportit botëror, me të cilët bisedohet dhe shkëmbehen ide nga përvojat e tyre të mëhershme, të cilat do të shfrytëzohen për të mirën e avansimit të sportit”. 
Interesimi i madh i mediave të huaja për Albinin dhe pjesën tjetër të ekipit olimpik, si debutues në LOD janë një pjesë e përshtypjeve të Bujarit për ditët e deritashme të kaluara në Olimpiadë.
Albin Tahiri, që po e përfaqëson Kosovën do të garojë edhe në sllallom të madh dhe sllallom, për çka Turjaka i uron fat, me shpresën se do renditet në pozita më të lakmueshme se sa në garat e kaluara.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test