​Skitarja austriake që kërkon t’i sjellë medalje Kosovës: Motivohem nga vajzat e xhudos

Skijim

​Skitarja austriake që kërkon t’i sjellë medalje Kosovës: Motivohem nga vajzat e xhudos

Më: 8 prill 2023 Në ora: 09:55
Sophie Sorschag

Skitarja austriake Sophie Sorschag ka vendosur që nga ky vit ta përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare. Në fillim të kësaj jave, kampionia e botës në garat ekipore të skitarisë mori nënshtetësinë e Kosovës, vendim ky për të cilin thotë se ndihet krenare.

Sorchag thotë se ndihet tejet e lumtur që do të garojë nën flamurin e Kosovës, derisa shpreh hapur objektivin që vendit tonë t’i sjellë medalje olimpike.

Sorschag: Kosovës do t’i sjellë medalje olimpike

“Unë thjesht doja të skijoj për një komb që vlerëson punën time dhe jam shumë e mirëpritur këtu, prandaj jam e lumtur që do ta përfaqësoj Kosovën në të ardhmen. Objektivi im është të fitoj medalje olimpike ose medalje në ngjarje të mëdha dhe të jem e suksesshme”, tha ajo.

Sorschag shton se për të arritur deri tek medaljet motivohet nga sukseset e vajzave të xhudos në Kosovë si dhe vlerëson pritjen e ngrohtë që i është bërë në Kosovë.

Sorschag: Motivohem nga vajzat e xhudos për të fituar medalje

“Njerëzit janë shumë mikpritës, dhe unë isha e mirëpritur këtu, ata janë kaq miqësorë dhe kjo më pëlqen... Po, kam dëgjuar tashmë për këto tre medaliste olimpike (Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi) medalje ari. A më motivojnë ato? Po sigurisht.”, theksoi Sorschag.

I lumtur me vendimin e skitares për ta përfaqësuar Kosovën është shprehur edhe trajneri i saj Jure Radelj, derisa për KosovaPress, zbulon arsyen kryesore pse zgjodhën Kosovën për përfaqësim në arenën ndërkombëtare.

Radelj: Kosova vend në të cilin Sorschag mund t’i realizojë ëndrrat

“Po, e vlerësoj vërtet. Ne gjetëm bashkëpunim për të ardhmen, kështu që jam shumë i lumtur që vendosëm dhe do të përfaqësojmë në sezonet e ardhshme Republikën e Kosovës. Arsyeja kryesore ishte se njerëzit me të cilët kam komunikim na dëgjojnë dhe shohin në të ardhmen për të promovuar Republikën e Kosovës dhe gjithashtu për të dhënë diçka për të rinjtë e skitarisë, kjo është pika kryesore dhe gjithashtu që Sophie mundet të vazhdojë karrierën e saj dhe të bëjë realitet ëndrrën për lojërat olimpike në Milano”, tha Radelj.

Ai ritheksoi synimin e qartë për t’i sjellë Kosovës medalje olimpike e botërore.

Radelj: Synojmë medalje olimpike dhe botërore

“Synimi ynë i qartë është të luftojmë për medalje dhe sigurisht, Sophie është një skitare me të vërtetë e talentuar. Ajo po punon shumë për të ardhmen, tashmë ne jemi në gjendje të mirë, në progres të mirë. Pra, ne e vlerësojmë vërtet që sezoni i verës po vjen shpejt, ne do të godasim kështu që unë kam qëllime të qarta për Lojërat Olimpike dhe Kampionatin Botëror”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat