Zgjedhjet vendore, 12 femra në garë për kryetare

Shqipëria

Zgjedhjet vendore, 12 femra në garë për kryetare

Më: 18 prill 2015 Në ora: 07:58

Ndonëse listat me kandidatët zyrtarë të partive politike për zgjedhjet vendore të 21 qershorit ende nuk janë mbyllur, ajo që vihet re është se në këto zgjedhje do të jenë kandidate për të fituar postin e kryebashkiakut, të paktën 12 zonja. Ndërsa pritet përmbyllja e listave nga të dy kampet, nuk mund të përjashtohet mundësia që ky numër të vijë në rritje. Kështu koalicioni i majtë nga kandidaturat e konfirmuara zyrtarisht zgjodhi të kandidojë 10 femra për kryebashkiake, shtatë prej të cilave vijnë nga radhët e Partisë Socialiste, dy prej aleatit më të madh LSI dhe një nga partia e afruar rishtazi në koalicion, PDIU. Ndërsa nga koalicioni i djathtë, deri tani janë vetëm 2 kandidatura të konfirmuara zyrtarisht.

Nga koalicioni i majtë në zgjedhjet vendorë të 21 qershorit do të kandidojnë 10 femra, ku emri më i rëndësishëm është ai i Ketit Bazhdarit, si kandidate për bashkinë e Shkodrës. Ajo ishte e para që u konfirmua si pjesë e koalicionit. Deputetja që duhet të lërë mandatin Majlinda Bufi do të jetë kandidate për bashkinë e Roskovecit, ndërsa drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Sarandës, Florjana Koka, është kandidatja e mazhorancës për qytetin bregdetar të Sarandës. Ndërsa aleati më i madh i Partisë Socialiste, LSI zgjodhi të kandidojë tre femra, nga 15 bashki, ku kjo forcë pati të drejtën e propozimit. Kështu LSI zgjodhi që të kandidojë si pjesë të koalicionit të majtë deputeten Miranda Rira për bashkinë e Prrenjasit dhe prefekten e qarkut të Gjirokastrës, Zamira Rami, për drejtimin e bashkisë së qytetit të gurtë. Ndërsa zonja e tretë që vjen nga radhët e LSI-së është arkitektja Diana Mile, e cila do të futet në garë për bashkinë juglindore të Pogradecit.

Në krahun tjetër të politikës, opozita dhe më konkretisht, Partia Demokratike zgjodhi të përfshijë në garë dy femra, për dy ndër qytetet më me peshë në vend. Kështu për bashkinë e Durrësit, PD-ja propozoi drejtuesen e sekretariatit për Marrëdhënien me Publikun, Grida Duma. Zonja e dytë, e propozuar nga PD-ja, është deputetja e qarkut të Shkodrës, Voltana Ademi. Deputetja që duhet të lërë mandatin, Voltana Ademi, kandidon për bashkinë e Shkodrës, e njohur si një nga bastionet e opozitës.

Për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në zgjedhjet e ardhshme vendore u zhvillua një debat i gjerë publik, ndërsa u bënë edhe disa ndryshime në Kodin Zgjedhor. Në bazë të këtyre ndryshimeve, partitë pritet të rrisin pjesëmarrjen e zonjave deri në masën 50 % për këshillat bashkiakë. Në legjislacionin aktual, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, masa e përfshirjes së detyrueshme të zonjave është 30 %. Me ndryshimet e fundit ligjore, që prekin vetëm zgjedhjet vendore, pritet të ketë një hapësirë më të madhe për rolin e zonjave në politikë. Edhe krerët partiakë janë shprehur të gatshëm, të paktën publikisht, të shtojnë numrin e grave dhe vajzave, në forumet vendimmarrëse, qendrore apo vendore.

Profili i 12 kandidateve për zgjedhjet vendore

Keti Bazhdari ka lindur me 28 prill 1980 në qytetin e Shkodrës. Ajo ka studiuar Financë-Kontabilitet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Ndërsa ka kryer masterin për Administrim Publik dhe Politika Publike. Keti Bazhdari është filantrope dhe politikane. Ajo drejton një prej fabrikave më të mëdha të biznesit fason në vend dhe ka një histori mjaft aktive në projekte, sidomos sociale. Bazhdari vjen nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist. Babai i saj është arrestuar në vitin 1956 si mbështetës i Revolucionit Hungarez të Imre Nagit. Gjatë vitit 2010, Bazhdari u zgjodh në krye të Partisë Socialiste dega Shkodër, pas shkarkimit të ish- kryetarit të asaj kohe Edip Shiroka. Gjatë vitit 2012, ajo dha dorëheqjen nga ky post për të marrë drejtimin e grupit të ngritur nga Partia Socialiste për hartimin e programit për ish të përndjekurit politikë. Përpara zgjedhjeve të vitit 2013 nga strukturat e Partisë Socialiste u fol për një përfshirje të saj në listat e kandidatëve për deputetë në qytetin e Shkodrës, por për arsye të panjohura ajo nuk u kandidua. Gjatë vitit 2013 Organizata “Partners Albania” nderoi biznesmenen shkodrane, Keti Bazhdari, me çmimin vjetor të Filantropisë “për kontribut të veçantë në fushën e artit dhe kulturës në mbështetje të artistëve të rinj e pasurimin e jetës kulturore në qytetin e Shkodrës, si dhe për mbështetje të vazhdueshme për grupet në nevojë”.

Majlinda Bufi është kandidatja e së majtës për Bashkinë e Roskovecit, Ajo ka lindur në vitin 1972 në Fier është e martuar dhe ka mbaruar studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Deputetja Bufi ka kryer një fakultet të dytë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në degën Politikë Agrare. Nga viti 2000-2009 ka qenë drejtoreshë teknike në “ANB” shpk Fier, dhe nga viti 2011-2013 ka mbajtur postin e administratores në "Megal center" shpk, Fier. Ajo bën pjesë në grupin parlamentar të PS-së dhe është aktualisht është deputete e qarkut të Fierit në Kuvendin e Shqipërisë.

Miranda Rira ka lindur në vitin 1981 në Librazhd, është e martuar, nënë e një vajze. Ajo është diplomuar në vitin 2007 në degën Filozofi-Sociologji, më pas ka mbaruar masterin po në këtë degë, ndërkohë që studimet e Doktoraturës i ka mbyllur në Universitetin “Gent”, në Belgjikë. Nga viti 2014, Rira është Lektore në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", Elbasan. Ndërkohë që prej vitit 2012 ajo është edhe Lektore me kohë të pjesshme në Universitetin e Tiranës, Departamenti i Sociologjisë. Që prej vitit 2012 Miranda Rira shërben si Drejtoreshë dhe Trajnuese në Shoqatën për "Mbrojtjen e Grave Rurale", Elbasan. Rira bën pjesë në Grupin Parlamentar të LSI-së dhe aktualisht është deputete e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë.

Rajmonda Balili është kandidate për bashkinë e Patosit, që vjen e konfirmuar nga e majta. Balili është e martuar dhe është nëna e një djali. Ajo kërkon të rikonfirmohet edhe për katër vitet e ardhshme në krye të bashkisë së Patosit, pasi aktualisht mban postin e kryebashkiakes që prej vitit 2011.

Diana Mile është me profesion arkitekte. Ajo ka lindur në Pogradec dhe është diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës. Që prej vitit 2013 ajo është administratore në “Dandelion” Shpk Pogradec, si dhe drejtoreshë e “Shtëpia e Gjelbër” NGO. Aktualisht ajo ushtron profesionin e saj si arkitekte dhe është drejtuese e planit urbanistik në Pogradec.

Zamira Rami është kandidatja e së majtës për Bashkinë e Gjirokastrës. Rami ka lindur në Gjirokastër dhe prej 19 vitesh është pedagoge në Universitetin “Eqrem Çabej”. Ajo mban aktualisht detyrën e prefektes të qarkut të Gjirokastrës.

Florjana Koka vjen gjithashtu nga e majta për të kandiduar në këto zgjedhje për bashkinë e Sarandës. Koka është 38 vjeç, është e martuar, dhe ka mbyllur studimet për gazetari. Ajo flet tre gjuhë të huaja dhe aktualisht mban postin e Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Bashkinë Sarandë.

Mimoza Arapi vjen nga radhët e PDIU-së në aleancën e së majtës për Bashkinë e Konispolit. Arapi është e martuar, nënë e dy fëmijëve, një vajzë dhe një djali. Aktualisht është drejtoreshë e një agjencie turistike.

Valbona Kola vjen gjithashtu nga radhët e së majtës për të qenë në krye të bashkisë Klos në qarkun e Dibrës.

Adelina Farrici ka lindur në Burrel dhe kërkon rikonfirmimin në këto zgjedhje pasi ajo mban postin e kryebashkiakes që prej zgjedhjeve të vitit 2011 kur u zgjodh kryebashkiakja e parë femër për ato zgjedhje, me një shumicë votash prej 56, 3 % përballë kandidatit Skënder Lleshi.

Kandidatet e opozitës

Voltana Ademi ka lindur në Shkodër, është e martuar me Franc Ademin. Ajo është nëna e një djali të vogël të quajtur Gjon. Ajo ka studiuar në Universitetin e Tiranës për Shkenca Kompjuterike. Ka mbaruar studimet Master “Për Qeverisjen dhe Zhvillimin Territorial” në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universitetin e Palermos, Itali. Ademi e ka filluar karrierën si pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Voltana Ademi ka mbajtur postin e nënkryetares së Bashkisë Shkodër gjatë vitit 2014, ndërsa në vitet 2007 – 2011 ka punuar si këshilltare pranë Këshillit të kësaj Bashkie. Ademi në vitet 2011-2013 ishte Prefekte e Qarkut Shkodër dhe në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është zgjedhur deputete e PD-së në këtë qark.

Grida Duma ka lindur në vitin 1977 në qytetin e Durrësit. Duma dhe diplomati Ilir Shqina kanë 18 vjet të martuar dhe kanë një djalë. Grida Duma shkollën e mesme e ka bërë në Durrës dhe më pas vazhdoi universitetin e Shkencave Sociale, departamenti i Filozofisë. Ndërkohë ka një master në Administrim Biznesi në Universitetin e Tiranës. Në përfundim të qeverisjes së PD, nga viti 2011 deri në 2013 kreu detyrën e zëvendësministres së Integrimit, në krah të ministres Majlinda Bregu.

Bazhdari prezanton platformën

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari, ka paraqitur një panoramë të platformës së saj. Shtyllat e platformës së saj janë turizmi, bujqësia dhe blegtoria, industria, arti, kultura, sporti, arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe çështjet sociale. “Turizmi historik, artistik, kulturor, malor, detar dhe liqenor”, ishte pika e parë e programit të saj. Gjithashtu, bujqësia dhe blegtoria dhe mbi të gjitha promovimi, orientimi i agrobiznesit dhe përmbyllja e zinxhirit që nga orientimi i të mbjellave deri tek shitja e tyre, renditen ndër prioritetet e kandidates së majtës. Për Bazhdarin, industria do të ketë si pikë të fortë infrastrukturimin dhe zgjerimin e parkut industrial, me kompani të reja dhe që do rrisin, si cilësinë e punësimit, ashtu dhe numrin e të punësuarve në Shkodër. “Arti dhe kultura, rehabilitimi i institucioneve që përfaqësojnë artin dhe kulturën në Shkodër, trajtimi dhe rregullimi i kushteve me të cilat operojnë artistët, si dhe promovimi i aktiviteteve të shumta artistike me qëllim edukativ dhe argëtues”, përfshihen gjithashtu ndër prioritetet e Bazhdarit. Sipas saj, sporti do të jetë një pikë e fortë dhe do trajtohet në tre nivele, në atë garues, në atë edukues dhe në nivelin argëtues/amator. “Do të dalim me një program tejet ambicioz, që ka si synim përmirësimin e kushteve dhe rritjen e rolit të mësuesit dhe mjekut në shoqëri. Çështjet sociale, varfëria, invaliditeti do të jenë kryefjala e jonë për sa i përket transparencës dhe ndjeshmërisë”, shkruan Bazhdari.

Veliaj-Kosova, shkëmbejnë mesazhe urimi

Dy kandidatët për zgjedhjet vendore të 21 qershorit Halim Kosova i opozitës dhe Erion Veliaj i mazhorancës e kanë nisur mjaft pozitivisht garën mes tyre. Gara për bashkinë më të madhe në vend ka nisur me shkëmbimin e mesazhit të urimit mes dy kandidatëve. Ka qenë kandidati i mazhorancës, Erion Veliaj i cili i ka shkruar mesah urimi mjekut Halim Kosova ku i shkruan “Jemi gati për një fushatë pozitive dhe ju uroj suksese”. Nuk ka vonuar përgjigjja e kandidatit të djathtë i cili i kthen përgjigje po me mesazh: “Ju falenderoj dhe suksese gjithashtu”. Erion Veliaj aktualisht mban postin e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndërsa kundërshtari i tij Halim Kosova është deputet i Partisë Demokratike.

Meta: Veliaj, kandidat gjithëpërfshirës, konsiderata për Halim Kosovën

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dha vlerësimin e tij për kandidatët e bashkisë më të madhe në vend, Tiranës. Meta u shpreh se, ashtu si koalicioni që është gjithëpërfshirës, është edhe kandidatura e Erion Veliajt. Sipas Metës, reforma e guximshme dhe largpamëse në fushën e pensioneve, angazhimi i jashtëzakonshëm për të reformuar arsimin profesional, që ka qenë dhe që është një prioritet i veçantë i mazhorancës, por edhe i LSI-së, dhe shumë aspekte të tjera, janë vetëm disa pika që e bëjnë Veliajn një kandidat të fortë. “Të gjithë kandidatët që janë përmendur, që janë studiuar, që janë diskutuar kanë pasur vlerat e tyre të padiskutueshme dhe natyrisht që kandidatura e zotit Veliaj është mjaft e spikatur dhe meriton të gjithë mbështetjen tonë. Koalicioni ishte gjithëpërfshirës, sepse ishte koalicion mjaft i gjerë, me rreth 40 parti dhe natyrisht që edhe kandidati i këtij koalicioni nuk mund të jetë ndryshe, veçse gjithëpërfshirës”, u shpreh Meta. Kreu i Kuvendit shprehu konsiderata edhe për kandidatin e së djathtës për Tiranën, Halim Kosova. Sipas Metës, edhe kandidatët e pavarur do ta bëjnë mjaft interesante garën. “Kam konsideratën më të mirë edhe për z. Kosova. Në fund të fundit, është një garë mjaft interesante, po të kemi në konsideratë se kemi edhe kandidatë të tjerë, të cilët nuk duhen nënvlerësuar. Përkundrazi, duhen përgëzuar për iniciativën dhe për kurajën e tyre, zoti Bojaxhiu, zoti Guri dhe zoti Tafaj. Pra, është një garë mjaft demokratike, mjaft interesante, por unë besoj se kandidati ynë, z. Veliaj e fillon garën nga dita e djeshme, pra që nga mbrëmja ka nisur duke udhëhequr dhe besoj se do të vazhdojë ta udhëheqë deri më 21 qershor. Kandidatët e pavarur tregojnë se demokracia funksionon, që nuk është pronë e 2, 3, 10 apo e 50 partive dhe janë eksperienca mjaft pozitive, sepse japin u mundësi qytetarëve të kenë sa më shumë zgjedhje, por njëkohësisht edhe u japin leksione dhe mësime forcave politike se si të jenë edhe më të hapura”, tha Meta. Duke folur për zgjedhjet vendore, Meta tha se ato janë shumë të rëndësishme dhe janë historike, sepse Shqipëria do të ketë 61 bashki, nga rreth 400 bashki e komuna që ka pasur deri më tani. “Është një kapërcim historik, një reformë e madhe dhe kjo rrit shumë përgjegjësinë e të zgjedhurve, sepse u jepen mundësi të jashtëzakonshme për t’i dhënë fund stereotipit të deritanishëm të kryetarit të bashkisë apo të kryetarit të komunës. Dua të përshëndes faktin që kemi mjaft zonja në këtë garë, që është një gjë shumë pozitive. Jo vetëm kemi një arritje të rëndësishme dhe historike do ta quaja dhe këtë që Parlamenti vendosi në mënyrë ligjore që partitë të jenë të detyruara të respektojnë kuotën gjinore për sa i takon përfaqësimit në këshillat bashkiake, por kemi dhe mjaft kandidate të spikatura në të gjithë vendin, kryesisht nga e majta, por edhe nga e djathta të cilat do të japin bukuri më të madhe kësaj gare dhe të tregojnë një emancipim real të politikës të vendit tonë, emancipim që duhet të thellohet më tej në të ardhmen”, u shpreh kreu i LSI-së.

Arrihet marrëveshja, FRD në koalicionin e majtë

Kryesocialisti Rama dhe kreu i FRD-së Topi, pas takimit të dytë mes tyre, arritën marrëveshjen mbi bazën e së cilës, Fryma e Re Demokratike kalon në koalicionin qeverisës. Por, sipas marrëveshjes, FRD vijon të mbetet një parti e frontit të djathtë. “Negociatat me FRD-në kanë qenë të një natyre krejt të veçantë, sepse ndryshe nga të gjitha negociatat e tjera, nuk është folur për asnjë moment për zona apo njësi të kërkuara nga pala tjetër. Pra, FRD nuk ka kërkuar prej nesh ndonjë mbështetje për kandidaturë në njësitë vendore, por ka shprehur interesimin për të vlerësuar së bashku, nëse mund të kemi një marrëveshje për një qeverisje vendore, duke qenë pjesë e të njëjtit koalicion, duke ruajtur identitetin e palëve dhe duke u përpjekur modestisht për të ndërtuar një shembull të ri dhe emancipues për politikën shqiptare. Pra, ne jemi të vetëdijshëm që FRD është në opozitë me Qeverinë, por nga ana tjetër jemi të kënaqur që në këto zgjedhje jemi së bashku”, tha Rama.

Bamir Topi ka rikonfirmuar pozicionin e FRD-së si një parti e qendrës së djathtë ndërsa ka shprehur mbështetjen e tij për realizimin e bashkëpunimit për të arritur realizimin e projekteve për qytetarët. “Erdhëm në një përfundim pozitiv të bisedimeve. Është shumë e rëndësishme që të rimerret nga publiku i gjerë rikonfirmimi i FRD-së si një parti e qendrës së djathtë. Këto janë zgjedhje administrative. Besoj përmes këtij bashkëpunimi, që së pari është mbi bazën e një vullneti politik, e dyta mbi bazën e një vullneti qytetar dhe e treta për të dhënë tek njëri-tjetri të gjitha potencialet intelektuale dhe profesionale për të shkuar në administrimin e qyteteve që është dëshira unike e qytetarëve. Është shumë e rëndësishme që ajo që projektohet për qytetet, duhet të realizohet”, deklaroi nga ana e tij, kreu i FRD-së, Bamir Topi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat