Fronti Nacional kërkon ndërprerjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Shqipëria

Fronti Nacional kërkon ndërprerjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 09:10

Filorusët, neofashistë francezë propozojnë një rezolutë në Parlamentin Europian, po janë tepër të izoluar për të pasur sukses

Në seancën e fundit plenare të janarit, tre deputetë francezë të Frontit Nacional depozituan një projekt-rezolutë, e cila kërkon ndalimin e e menjëhershëm të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Teksti i rezolutës vë në dukje se gjendja sociale dhe ekonomike aktuale në Europë nuk le vend për anëtarësime të tjera, që sipas tre deputetëve nacionalistë vetëm sa do të shtojë barrën e kontributeve financiare nga vendet kryesore të BE-së, mes tyre edhe Francës.
Tre deputetët janë Dominique Bilde, Sophie Montel dhe Steeve Briois dhe ata kanë kundërshtuar në mënyrë të ngjashme edhe proceset e anëtarësimit të Malit të Zi dhe Turqisë.
Projekt-rezoluta vë në dukje se Shqipëria ka përfituar deri tani kredi europiane që shkojnë deri në 315,5 milionë Euro në vitet 2000-2006 dhe 306,7 milionë Euro në vitet 2007-2010.
Eurodeputetët e të djathtës ekstreme ankohen se Shqipëria ka problem të mëdha me korrupsionin dhe është një nga pikat e qarkullimit për shumë trafiqe, sit ë drogës, prostitucionit e të tjera.
Për këto arsye e të tjera, eurodeputetët kërkojnë: mbajtjen e referendumeve në çdo vend anëtar lidhur me valën e re të anëtarësimeve të mundshme në BE dhe sidomos ndalimin e menjëhershëm të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Fronti Nacional është fuqizuar shumë kohët e fundit në Francë dhe disa anketime e nxjerrin kryetaren e tij, Marine LePen si kandidaten më të fortë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
FN është pjesë e valës së fortë euroskeptike që ka përfshirë Europën dhe që pati suksesin e parë zgjedhor në fitoren e Syrizas në Greqi. Ndonëse Syriza e quan veten parti të majtë radikale, ajo mori përshëndetje të nxehta për fitoren nga të djathtët ekstremë të Frontit Nacional.
Një tjetër lajm i bujshëm vitin e kaluar ishte huaja që Marine Le Pen ka marrë për aktivitetin e partisë së saj nga bankat ruse në Europë. Deklaratat e saj për konfliktin me Ukrainën kanë qenë pro Rusisë, anti-amerikane dhe kundër NATO-s.
Mirëpo FN mbetet i kufizuar. Në marshimin e solidaritetit, pas vrasjeve në revistën “Charlie Hebdo”, kjo parti nuk u lejua të marrë pjesë. Edhe në parlamentin europian askush nuk do t’i marrë seriozisht projekt-rezolutat e saj. Kjo përçapje kundër Shqipërisë bëhet vetëm për të provokuar dhe për të shokuar, metoda që e kanë ndihmuar deri tani mes ekstremistëve dhe të pakënaqurve ekonomikisht në Francë. Nuk do të jetë hera e fundit që Shqipëria përdoret si objektiv për manovra të tilla./opozita

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat