Arrestimi në Dubai- Ç’po ndodh mes organizatës së Bajrave dhe organizatës socialiste?

Shqipëria

Arrestimi në Dubai- Ç’po ndodh mes organizatës së Bajrave dhe organizatës socialiste?

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 17:18
Denis Brajoviqi

Nuk dihet se çfarë priste grupi “Bajri” në këmbim të ndihmës që i dhanë Partisë Socialiste për bashkinë e Shkodrës, por një vit pas zgjedhjeve, njëra organizatë ka pushtetin e plotë në qytet, ndërsa anëtarët e organizatës tjetër janë sulmuar fort nga SPAK.

Këtë paradite, kur policia njoftoi arrestimin e Denis Brajoviqit në Emiratet e Bashkuara u ngritën menjëherë pikëpyetje mbi mundësinë e ekstradimit të tij. Dihet se Dubai është shndërruar në një strehë të sigurt për shqiptarët e shpallur në kërkim, ndërsa Brajoviq mundi t’i arratisej policisë, duke ngritur dyshime për dekonspirim.

36-vjeçari njihet si ekzekutor i grupit Bajri dhe përgjimet e zbardhura të SKY ECC në dosjen “Metamorfoza” e kanë gozhduar për eleminimin e Gjin Boriçit në Shkodër.

Gjin Boriçi, ose Gjin Ndoji është i riu që shihni në foton më lart. Ai u vra në gusht të vitit 2020.

Ishte 38 vjeç kur u ekzekutua. Mbi supe mbante autorësinë e një masakre me 3 të vrarë në Shkodër. Një jetë e shenjuar nga gjakmarrja, ku kishte humbur të atin dhe vëllain, Gjin Ndoji sapo i ishte futur biznesit fitimprurës të lojërave të fatit në të zezë.

Si nje djalë me reputacionin e të fortit në Shkodër, ai shpërfilli kontrollin që Vis Martinaj kishte mbi biznesin e kumarit. Dhe meqënëse bosi i lojërave të fatit s’mund ta toleronte që Shkodra t’i dilte nga kontrolli, porositi vrasjen e Gjin Ndojit tek Pëllumb Gjoka.

Në këmbim të ekzekutimit të Gjin Ndojit, sipas përgjimeve të SKY ECC, Pëllumb Gjoka i kërkoi Vis Martinajt vrasjen e Kleanti Musabelliut, një ish polic i burgjeve, që jetonte në Tiranë dhe me të cilin biznesmeni kishte pasur një sherr për fëmijët.

Ndërkohë në Shkodër, Pëllumb Gjoka kontraktoi grupin e Bajrave për vrasjen e Gjin Ndojit. Ekzekutori i tyre ishte pikërisht personi i arrestuar sot në Emiratet e Bashkuara, Denis Brajoviq.

Ai është i njohur për raportimin që bëri pas vrasjes së Gjin Ndojit natën e 9 gushtit të vitit 2020 kur i shkruan Behar Bajrit në aplikacionin SKY: “Gjoks e kry kapedan, mu blloku se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka”.

Kuptohet se arma i kishte ngecur pas disa të shtënave në gjoks dhe në kokë të viktimës, që para se të ndërronte jetë e kishte sharë.

Kjo më lart është e vetmja pamje në publik nga Denis Brajoviq. Ai është personi që po qëndron në mes duke qeshur.

Foto është shkëputur nga filmimet e një kamere sigurie në një nga qendrat e votimit të 14 Majit në Shkodër.

Në krahun e djathtë të Denis Brajoviq qëndron Enver Bajri, një tjetër emër i njohur i grupit, por që nuk kishte lidhje me dosjen “Metamorfoza”.

Filmimi është kryer ditën e zgjedhjeve lokale, kur grupi i Bajrave u angazhua në shërbim të Partisë Socialiste, që kandidoi në Shkodër Benet Becin. Të fortët e Shkodrës qarkullonin me një autokolonë makinash duke “inspektuar” qendrat e votimit, të shoqëruar nga një anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste, Erald Bushi.

Fitorja e socialistëve në Shkodër ishte e para në 30 vite pluralizëm. Pavarësisht se për ta marrë bashkinë e Shkodrës iu deshën muskujt dhe paratë e krimit, kryeministri Rama premton t’i rikthejë qytetit hijeshinë e dikurshme.

Vëmëndja e qeverisë për Shkodrën është rritur pas zgjedhjeve. Fasadat e godinave shohin ngjyra të tjera, ndërsa investimet urbane po marrin financime që nuk i kishin njohur prej 10 vitesh që socialistët janë në pushtet.

Edhe prania e Ramës është më e shpeshtë në qytet. Këtë fundjavë, kryeministri Rama udhëtoi drejt Shkodrës me familjen e tij për të marrë pjesë në festën e karnavaleve. Gjithsesi syrit të vëmëndshëm nuk i shpëton një detaj i pazakontë; Rama u pa të lëvizë në qytet nën survejimin e rreptë të një grupi badigardësh që garantojnë sigurinë e kryeministrit.

Afërmendsh mes dy organizatave diçka nuk ka funksionuar. Sepse në njërën anë, Partia Socialiste po shijon frytet e pushtetit në Shkodër. Në anën tjetër, grupi i Bajrave po tenton të rikuperohet nga goditjet e prokurorisë.

Përveç Denis Brajoviqit që u arrestua në Dubai, disa muaj më parë u arrestua dhe u ekstradua nga Franca, Behar Bajri. Në burg ka përfunduar edhe kontakti i tyre me drejtësinë, prokurori Xhevahir Lita, por edhe pagatori Pëllumb Gjoka, që kishte lidhje me nivelet më të larta të qeverisë.

Gjithsesi zgjedhjet e radhës afrojnë shpejt. Behar Bajri është në qeli, por për të nuk ka ende një vendim të formës së prerë. Ndërkohë ekstradimi për Denis Brajoviqin është një lojë e hapur. Organizatat e kanë gjetur një herë gjuhën e përbashkët në 14 Maj. Asgjë nuk i pengon ta gjejnë përsëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat