Akuzohet për tjetërsim pronash, ish-kryebashkiaku i Lezhës merret sërish i pandehur

Shqipëria

Akuzohet për tjetërsim pronash, ish-kryebashkiaku i Lezhës merret sërish i pandehur

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 08:59
Fran Frrokaj,

Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj, është marrë sërish i pandehur nga prokuroria për tjetërsim pronash në zonën Kune-Vain-Tale. Bëhet fjalë për një procedim penal të nisur që prej vitit 2017-të, pas një kallëzimi të shtetasit Ardian Mlika, i cili vuri në lëvizje organin e akuzës. Nga hetimi disavjeçar ka rezultuar se punonjës të administratës mes të cilëve dhe Fran Frrokaj në atë kohë ish-kryetar i Komunës Shënkoll kanë favorizuar regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona të cilët kanë përfituar në mënyre të paligjshme prona shtetërore përmes përgatitjes së AMTP-ve shtesë dhe të falsifikuara, duke i shitur më pas dhe tek personat e tjera. 

Këto prona janë vënë në sekuestro preventive, ndërsa dosja penale është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës dhe ndaj ish-kryebashkiakut është ngritur akuza e "Shpërdorimit të Detyrës".

Seanca e parë paraprake nuk u zhvillua për shkak të mungesës së palëve, duke detyruar gjyqtarin Elvis Sulejmani që ta shtyjë për në muajin janar të vitit të ardhshëm. Në përfundim të hetimeve Fran Frrokaj është i vetmi ish-zyrtar i marrë i pandehur në lidhje me këtë çështje, pasi për persona të tjerë përgjegjës vepra penale është parashkruar për shkak të tejkalimit të afateve të kryerjes së saj. 

Kjo është çështja e 3 penale që do të gjykohet për tjetërsim pronash në bregdetin e Lezhës, ku njëra prej tyre ka përfunduar dhe personat përgjegjës përfshirë dhe ish-zyrtarë mes të cilëve dhe Fran Frrokaj janë dënuar me burg, ndërsa një çështje tjetër e ngjashme është në gjykim në Gjykatën Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me të pandehur disa persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat