“Privatizuan” bazën ushtarake, Gjykata e Lartë lë në fuqi sekuestron për ndërtimet e jashtëligjshme

Shqipëria

“Privatizuan” bazën ushtarake, Gjykata e Lartë lë në fuqi sekuestron për ndërtimet e jashtëligjshme

Më: 27 nëntor 2023 Në ora: 14:52
Foto ilustrim

Gjykata e Lartë la nën sekuestro preventive pasuritë që janë ndërtuar dhe që po ndërtohen brenda territorit të bazës ushtarake të Shëngjinit numër 2001.

Vendimi u miratua për llogari të hetimeve që po kryhen për “shpërdorim detyre” nga disa zyrtarë që nuk pranuan të regjistronin pronën si bazë ushtarake dhe nga ana tjetër për “ndotje të ujrave” nga subjektet private. Gjykata e lartë citon parashtrimin e prokurorisë që thotë se “kjo pasuri është brenda përhapjes dhe vendosjes së Forcave të Armatosura dhe se regjistrimi i kësaj pasurie në emër të personave privatë është në kundërshtim me ligjin dhe përbën cenim të sigurisë kombëtare”

Gjykata e Lartë vë në dukje se kjo masë është e domosdoshme për të mos tjetërsuar pronat që sipas kolegjit janë de jure dhe de fakto në pronësi të Forcave të Armatosura.

Çështja po hetohet prej dy vitesh mbasi Komanda e Forcave Detare  mbas inventarit aplikoi për të regjistruar gjashtë prona. Por pavarësisht një VKM numër 515 dhe një korrespondence të gjatë institucionale, zyra vendore të regjistrimit të pasurive në Lezhë, pajisen me dokumentacion të pjesshëm pronësie individë të ndryshëm brenda bazës ushtarake të Shëngjinit, për një sipërfaqe prej përmbi 62 mijë metra katrorë. Kjo ka dyshime të jetë kryer edhe në shkelje të dekretit për pronat e  Forcave të Armatosura në çdo rast nevoje për mbrojtjen e sovranitetit dhe mos cenimit të sigurisë kombëtare- thotë prokuroria

Si komandant i Forcës Detare të asaj kohe, Artur Meçollari kërkoi hetime dhe ndaj shefit të shtabit të Forcave të Armatosura të asaj kohe, Bajram Begaj, sot president i Republikës dhe dy ushtarakëve të tjerë dhe çdo nëpunësi që ka përgjegjësi. Hetimet në fillim u kryen nga SPAK që shpalli mos kompetencën, pasi nuk gjeti shkelje nga subjektet që ka nën kompetencë. Sot çështja po hetohet nga Prokuroria e Lezhës.

Në delegimin e çështjes, SPAK i thotë prokurorisë së Lezhës  se duhet të vlerësojë në lidhje me veprimet e kundraligjshme të punonjësve ZVRPP Lezhë apo të personave përfitues të këtyre pronave në kundërshtim me ligjin. Prokuroria lokale ndërkohë ka administruar lejet e ndërtimit që u janë dhënë subjekteve të ndryshëm nga Bashkia Lezhë. Ndërkohë që njëri nga juristët e bazës ushtarake i identifikuar si Denis Madhi i pyetur nga akuza deklaron se nuk e di arsyen se përse ASHK nuk i ka regjistruar pasuritë që janë nën administrim të Ministrisë së Mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat