Gjyqtari Adriatik Bocaj zbulon rastet e dhunës në familje nga deputetë të Parlamentit

Shqipëria

Gjyqtari Adriatik Bocaj zbulon rastet e dhunës në familje nga deputetë të Parlamentit

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 22:47
Gjyqtari Adriatik Bocaj zbulon rastet e dhunës në familje nga deputetë të Parlamentit

Ligji është ashpërsuar dhe e dënon vrasjen në familje deri me burg të përjetshëm, dhe ku shërbimet e specializuara në nivel vendor duhet të ofrojnë ndihmë për të mbijetuarat, ka ende sfida të pa përmbushura. Një ndër to, punësimi i grave.

Gjyqtari Adriatik Bocaj, i cili ka shpallur qindra urdhra mbrojtjeje, ka dhënë statistika në podcast-in “Fol me Anila Hoxhën” këtë të shtunë në Top Albania Radio.

Dhuna në familje ka të bëjë me këtë që nuk varet se nga vjen, kush je, çfarë arsimi ke, çfarë statusi ke, ke lekë, s’ke lekë, i varfër, e të gjithë me radhë. Dhuna në familje ekziston aty. Është ndërmjet dy njerëzve, ndërmjet prindërve- fëmijëve, burrit -gruas e të gjitha. Kemi pasur raste të deputetëve në parlament që kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortëve të tyre. Në këto raste ne flasim pa emra. Emrat ekzistojnë në gjykatë, janë vendimet që janë të pasqyruar. Në momentin që është dhënë urdhri i mbrojtjes ata kanë qenë deputetë të parlamentit të Shqipërisë. Madje në një rast më tha: Jam deputet- dhe i thashë- edhe pastaj se je deputet. Ligji është i barabartë për të gjithë. Nëse vërtetohet se ti ke ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes do të zbatohet ligji si për të gjithë të tjerët. Dhe ‘de Facto’ urdhri i menjëhershëm brenda 24 orëve u dha. Por çudia më të madhe ishte se në seancën e vërtetimit, gruaja vjen dhe kërkon të mos miratohet urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes sepse ne jemi të rregulluar. Nuk ka më dhunë”, zbulon gjyqtari Bocaj.

E pyetur nga gazetarja Anila Hoxha nëse deputetët kanë imunitet edhe kur ushtrojnë dhunë në familje ai sqaroi se: “Ky ligj kalon përtej asaj që ne e quajmë imunitet. Ne nuk marrim parasysh ke imunitet apo jo. Nuk e përjashton ligji. Në rastet kur s’ka dëshmitarë, kur s’ka prova të tjera, atëherë unë ndjek një praktikë atë të këqyrjes së jashtme të viktimës, e jep urdhrin e mbrojtjes edhe me bindjen e vet edhe nëse prova të dukshme nuk ka, por nga shpjegimet e palëve dhe nga mënyra sesi flasin dhe acarohen në seancë gjyqësore krijon atë bindje se ka dhunë dhe ne e japim urdhrin e mbrojtjes”.

Sipas gjyqtarit, Adriatik Bocaj vetëm për këtë vit 2327 gra kanë marrë urdhra mbrojtjeje të menjëhershme nga policia. Por ndërkohë që gjyqtarët japin vendime që më pas sjellin përfshirjen në mekanizëm të të dhunuarës në gjykimin penal gratë tërhiqen. Arsyen se pse nuk ndodh kjo, e shpjegon gjyqtari.

Gratë zakonisht janë të lidhura nga ana ekonomike nga të ardhurat që realizon burri dhe ky është ndër shkaqet përse tërhiqen, në rastin kur ka dhunë. Ose kemi raste të tjera që stimulojnë për shkak të mungesës së të ardhurave për të përfituar të ardhura dhe për të përfituar të ardhurat që Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion që janë 90 mijë lekë të vjetra për person. Zakonisht kjo është e pjesës vulnerabël. Pjesa vulnerabël e përdor këtë gjithmonë për të marrë këto të ardhura”.

Në 30 vite karrierë ka një ngjarje që gjyqtari e mban në kujtesë pasi fatkeqësisht përfundoi në vrasjen e gruas së dhunuar pavarësisht se ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje.

“Është një rast në periferi të Tiranës. Gruaja vjen në gjykatë për urdhër mbrojtjeje. Ajo është e dhunuar nga një burrë alkoolist. Ai nuk punon, i cili gjithë jetën ka ushtruar përveç dhunë psikologjike ka ushtruar edhe dhunë fizike. Me gjithë presionet të shumta që më shpjegonte në seancë të njerëzve të burrit që i bënin asaj dhe fëmijëve ajo ishte e vendosur për urdhrin e mbrojtjes. Dhe gjykata ia dha për një vit. Më ka mbetur në mendje sepse është një gjykim tepër i vështirë. Të dyja palët pretendonin dhunë ndaj njëri-tjetrit. Gjykata vendosi të jepte urdhër mbrojtjeje për të dy sepse njëri jetonte në kat të dytë, njëri në kat të parë. Por cili ishte momenti i dhimbshëm. Sepse ne që merremi me këtë punë gjëja e parë që shikojmë themi kur ndodhin ngjarje të tilla themi ‘ore këtë urdhër mbrojtjeje si e kam dhënë’. Gjëja e parë që shikoj është ‘a e kam dhënë drejtë apo mos ka mangësira’. Kërkon të përgjigjesh një pyetjeje “more pse nuk e zbatojnë këtë vendim këta që kanë për detyrë ta zbatojnë?”, tha Bocaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat