Mes emigrantëve edhe terroristë? Rama: Do kontrollohen nga agjencitë e sigurisë

Shqipëria

Mes emigrantëve edhe terroristë? Rama: Do kontrollohen nga agjencitë e sigurisë

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 14:23
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama vijon të japë sqarime në mediat italiane për çështjen e emigrantëve që do të vijnë në Shqipëri.

Këtë herë në një intervistë për “Corriere della Sera”, ai i është përgjigjur zërave kritikë se mes refugjatëve mund të ketë edhe terroristë. Për të garantuar sigurinë maksimale, Rama tha se emigrantët do të kalojnë në filtrin e agjencive të sigurisë të dyja vendeve.

“Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë. Thjesht duhet të kemi vullnetin dhe kujdesin për të përmbushur këtë angazhim duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe rregullat e vendosura për funksionimin e këtij operacioni të përbashkët, të cilat përfshijnë edhe kontrollin nga agjencitë e sigurisë të dy vendeve”,- tha Edi Rama.

Teksa Europa po përballet me një valë të madhe emigrantësh, Kreu i Qeverisë tha se nuk ka patur asnjë kërkesë të ngjashme nga vende të tjera të BE-së, për të cilat garantoi se përgjigjja do të ishte gjithnjë JO.

“Nuk jemi kontaktuar dhe nuk do të jemi të hapur për asnjë kërkesë, ashtu siç nuk ishim hapur për kërkesa të ngjashme përpara se të na kërkonte Italia. Në Romë nuk mund të thoshim jo sepse kemi një borxh mirënjohjeje që nuk do të mund ta shlyejmë kurrë, por që nuk duhet ta harrojmë kurrë”,- u shpreh kryeministri.

Marrëveshja e firmosur mes dy kryeministrave, Rama e Meloni pritet të kalojë për ratifikim në parlamentin shqiptar e më pas të nisë zbatimin në pranverën e 2024-ës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat