3-vjeçarja theu këmbën dhe u rrah te kopshti privat, zbardhet dëshmia e edukatores së arrestuar

Shqipëria

3-vjeçarja theu këmbën dhe u rrah te kopshti privat, zbardhet dëshmia e edukatores së arrestuar

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 10:43
Majlinda Dehima

Majlinda Dehima, edukatorja e kopshtit “Stinët”, e arrestuar një ditë më parë me urdhër prokurorie për akuzën “keqtrajtim i të miturit” për dhunën ndaj fëmijës 3 vjeç, i ka qëndruar të njëjtin deklarim në polici, të dhënë 2 ditë më parë kur ka qenë në statusin e të shoqëruarit.

Sipas gazetarit të Klan News Besar Bajraktaraj, edhe një herë Majlinda Dehima është shprehur se vajza e ka dëmtuar vetë këmbën në hapësirat e krevatit dhe ajo nuk e ka prekur. Burime bëjnë me dije se prokuroria e Tiranës pritet të bëjë një tjetër ekspertim të pamjeve filmike dhe në vijim edhe ballafaqim të Dehimës me provat që do të dalin gjatë hetimeve.

Mësohet se policia ka nisur një hetim me krimin ekonomik edhe për çiftin e pronarëve Dritan e Entela Danushi, ndërsa në Komisariatin nr. 1, pas ngjarjes së rëndë, asnjë prind që ka pasur fëmijën në këtë kopsht të palicensuar nga ministria e Arsimit, nuk është paraqitur për denoncime të tjera dhune. Policia e Tiranës tashmë ka përpiluar një plan masash për kontroll të detajuar të të gjithë territorit për të konstatuar raste të tjera flagrante të kopshteve pa licensa.

Deklarimi i parë i edukatores, pjesë nga materiali që është referuar në Prokurori:

Lidhur me ngjarjen Majlinda Dehima (edukatorja e kopështit), deklaroi se ajo si çdo ditë e hap kopshtin rreth orës 07:00, ndërsa fëmija i mitur ka shkuar në orën 09:03 minuta, ku kanë vazhduar aktivitetin ditor si çdo ditë. Sipas edukatores, Melisa ka vazhduar aktivitetin e saj e shkëputur nga grupi pasi ajo nuk ka dëshirë të rrijë në grup. Pasi Melisa ka ngrënë drekën Majlinda (edukatorja) e ka dërguar në dhomën e gjumit. Gjatë kohës që Melisa është shtrirë për gjumë ka kërcyer në krevat dhe ka përplasur këmbët në ndarjen e krevateve të cilat janë marinar. Rreth orës 15.00 edukatore Majlinda ka shkuar ta zgjojë Melisën nga gjumi, aty ka vënë re se këmba i ishte enjtur, pas konstatimit ka njoftuar menjëherë Entelën e cila është Drejtoresha e kopshtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat