Akuzohen për zjarrëvënie të qëllimshme, ndiqen penalisht 3 persona

Shqipëria

Akuzohen për zjarrëvënie të qëllimshme, ndiqen penalisht 3 persona

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Policia ka vijuar me marrjen e masave për parandalimin e zjarrvënieve, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Strukturat e policisë kanë arritur të identifikojnë tre qytetarë të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale zjarrëvenie të qëllimshme në Kavajë, Lazarat dhe në Lushnjë.

Njëri prej tyre, 68-vjeçari me inicialet P.U. është arrestuar në flagrancë pasi zjarri që ai ndezi rrezikoi banesat, ndërsa 2 të tjerët, P. K., 58 vjeç dhe V. B., 43 vjeçe u proceduan në gjendje të lirë.

Njoftimi i policisë

Identifikohen 3 shtetas që ndezën zjarre dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe të mëdha toke, në Kavajë, në Lazarat dhe në Lushnjë.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin P. U., 65 vjeç, banues në fshatin Lekaj, Rrogozhinë, pasi ka ndezur zjarr për djegien e kashtës, në tokën e tij, në fshatin Lekaj, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka rrezikuar banesa dhe prona të banorëve të tjerë të fshatit. Pas ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse, është bërë e mundur fikja e zjarrit.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin P. K., 58 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbetjeve të grurit, në vendin e quajtur “Sifoni”, në fshatin Lazarat, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me mbetje gruri (rreth 5 dynym).

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen V. B., 43 vjeçe, banuese në Lushnjë, pasi dyshohet se në lagjen “18 tetori”, zjarri që 43-vjeçarja kishte ndezur për djegien e mbeturinave, ka dalë jashtë kontrolli dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi, në pronësi të një shtetasi tjetër.

Shërbimet e Policisë, në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për marrjen e masave me qëllim përballimin e situatave që mund të krijohen si rezultat i zjarreve në fondin pyjor e kullosor përgjatë sezonit veror 2023”, do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të kapur dhe vënë përpara përgjegjësisë penale të gjithë ata shtetas që ndezin zjarre, si në tokat e tyre, ashtu edhe në sipërfaqet pyjore apo në kullota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat