VOA/ Edhe Apeli i posaçëm mban në burg Belerin, reagon sërish Athina

Shqipëria

VOA/ Edhe Apeli i posaçëm mban në burg Belerin, reagon sërish Athina

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 18:32
Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës

Në Shqipëri, Gjykata e posaçme e Apelit, la në fuqi të enjten, masën e arrestit me burg për kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i akuzuar për blerje të votave në zgjedhjet vendore të 14 majit. Zoti Beleri, ishte kandidat i opozitës, si përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek në Shqipëri.

Ai u arrestua dy ditë përpara votimit, nën dyshimet se kishte ofruar para për vota në favor të tij. Hetimet nisën pas sinjalizimeve të marra nga policia dhe denoncimit në Prokurorinë e Vlorës të një qytetari nga Himara. Autoritetet shqiptare të Drejtësisë kanë deklaruar se disponojnë foto e video që mbështesin akuzat ndaj Belerit.

Përveç tij, u arrestua dhe Pandeli Kokaveshi, një bashkëpunëtor i tij, ndaj të cilit Gjykata e Apelit vendosi sot ndryshimin e masës së sigurisë, nga arrest me burg në detyrim paraqitje, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Arrestimi i Belerit provokoi një tensionim të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës dhe shkëmbime deklaratash mes palëve. Autoritetet greke folën për shkelje të të drejtave të minoritetit sipas tyre. Ndrësa autoritetet shqiptare i kanë mëshuar faktit se Beleri nuk mund të trajthet ndryshe nga shtetasit e tjerë shqiptarë dhe se kjo çështje nuk është as politike e aq më pak çështje e të drejtave të njeriut.

Edhe sot ministria e Jashtme greke deklaroi se vendimi i Apelit “nuk rezulton të jetë në përputhje me dispozitat e shtetit ligjor, ndërkohë që nuk përbën trajtim të drejtë të një përfaqësuesi të zgjedhur të pushtetit vendor”, duke kujtuar se ai është i vetmi që është mbajtur në burg, ndryshe nga personat e tjerë të akuzuar për vepra penale në fushën e zgjedhjeve. Sipas Athinës, mbajtja në paraburgim ngre pikëpyetje dhe për faktin se “ngre pengesa thelbësore që Fredi Beleri të marrë detyrën e tij si kryetar i Bashkisë”.

Kjo çështje, siç bënë të ditur ministria e Jashtme greke është diskutuar sërish sot mes shefit të diplomacisë greke Vasilis Kaskarelis dhe homologes shqiptare Olta Xhaçka, në Oslo, ku ata merrnin pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Natos.

Greqia ka përdorur në mënyrë të përsëritur, tone kërcënuese ndaj Shqipërisë, për pasoja në rrugëtimin e saj të integrimit europian. Edhe në deklaratën e sotme vihet në dukje se “ministria e Punëve të Jashtme e mban çështjen shumë lart në prioritetet e saj dhe, përtej dimensionit dypalësh të çështjes, do të vazhdojë të informojë dhe ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar dhe në veçanti partnerët europianë, pasi Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimi në BE”, përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme greke./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat