“PD u distancua nga ‘non grata’ për t’i shpëtuar izolimit”/ Alibeaj prezanton kandidaten në Finiq

Shqipëria

“PD u distancua nga ‘non grata’ për t’i shpëtuar izolimit”/ Alibeaj prezanton kandidaten në Finiq

Më: 24 prill 2023 Në ora: 11:46
“PD u distancua nga ‘non grata’ për t’i shpëtuar izolimit”/ Alibeaj prezanton kandidaten në Finiq

Kryetari i Partisë Demokratike, Enkelej Alibeaj, nga Finiqi ku vazhdoi këtë të hënë takimet për fushatën zgjedhore, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe u shpreh se nëse PD nuk do ta largonte, sot do të ishte parti e izoluar.

Vendimi për t’u distancuar nga ish-kryetari historik duhej marrë për të ruajtur Partinë Demokratike

“Dy vite më parë, ai që ishte drejtuesi historik i Partisë Demokratike, ka qenë dy herë president, dy herë kryeministër prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Mbretërisë së Bashkuar, u përcaktua  non grata. Jo vetëm kaq, por ky ishte një rrezik i madh për Partinë Demokratike nëse nuk ndodhte që të merte një masë distancimi, e gjithë Partia Demokratike do të ishte e izoluar. E dimë fare mirë se çfarë do të thotë izolim. Ky vend e di fare mirë se çfarë do të thotë izolim nga perëndimi. Perëndimi vendos mure të forta dhe kjo në situatën ku jemi, të jesh i izoluar do të thotë të mos kesh asnjë shpresë në të ardhmen për qeverisje.

Zgjidhja jonë ishte kjo: midis, edhe një keqardhjeje njerëzore, unë e pranoj, që duhej marrë ai vendim ndaj ish-kryetarit historik dhe nga ana tjetër të ruanim Partinë Demokratike të pastër, të respektonte lirinë e individit, të drejtën e pronës, të përndjekurit, pronarët. Ne zgjodhëm këtë të dytën.  Me kosto, e di, me kosto. Unë e di fare mirë se çfarë do të thotë që një nga figurat më të rëndësishme e partisë, një figurë historike, në një moment të caktuar për shkak të një marrëdhënie personale të tij, s’është më në atë që quhet Partia Demokratike. E di që ka kosto”.

Nga Finiqi, kryedemokrati u shpreh se pushteti po merret penga nga Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Ndodhi pikërisht ajo që në 33 vite, nga 90-ta e këtej shoqëria shqiptare nuk u demokratizua dot. Edhe politika jo. Mjafton të shohësh një gjë të thjesht: nga se vuan sot shteti shqiptar? Vuan nga korrupsioni. Vuan nga abuzimi me pushtetin. Dhe jo vetëm kaq, por se drejtuesit e vjetër, treshja drejtuese e shtetit shqiptar në 33 vite, se tre veta kanë qenë Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, datojnë që nga viti 1990. Sali Berisha dhe Ilir Meta hynë në politikë në 90-ën dhe janë ende në politikë. Por unë nuk di lider në Europë sot që të jenë ende. Kanë ikur kryeministra në Gjermani, Itali, Francë e kudo, kanë ikur nuk janë më në skenë politike. Vetëm këtu janë ende.

Alibeaj u shpreh se është e papranueshme që Sali Berisha të shpallë luftë ndaj Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian.

“Nuk është kjo Partia Demokratike. Në qoftë se në 90-ën sistemi ndryshoi, ndryshoi duke kthyer sytë nga perëndimi. Atë donim ne, lirinë, demokracinë, respektimin e të drejtave të individit, respektimin e pronës, të drejtën për të votuar i lirë, për të pasur shtet ligjor. Ligji do të duhet të mbretërojë në një demokraci, jo individi. Kështu lindi Partia Demokratike. Ajo që ndodh sot mes nesh, që është një betejë, është për këto vlera. E pra kjo është sfida që na ka ndodhur ne në Partinë Demokratike, dhe unë e kuptoj fare mirë që është kohë e vështirë dhe unë kam një falenderim për të gjithë ata kandidat tanët që marrin përsipër një sakrificë të tillë”.

Aliebaj u kërkoi qytetarëve të Finiqit të votojnë kandidaten Leonidha Krista.

Në Finiq ne prezantohemi me një njeri i cili është bërë vet, pa ndihmën e askujt. Nuk i ka zhytur duart në fondet e buxhetit të shtetit, nuk ka vjedhur. Përkundrazi, nga aftësia e vet, e biznesit të tij,  ka ndihmuar komunitetin. Në fakt kështu duhet të ndodh, ka vlerësuar njerëzit që të krijojnë reputacionin, duke ndihmuar komunitetin. Sepse është pikërisht kjo dëshirë që buron nga zemra që tregon njeriun e mbarë. Dhe kjo është garancia për nesër. Çfarë duhet të vlerësojmë ne kur votojmë. Do të duhet të votojmë atë njeri që jep këtë garanci. Por jo me fjalë, se me fjalë I kemi të gjithë. Po kush ka bërë në të shkuarën pa ia kërkuar kush , kush ka dhënë prova që e do vendin e vet, e do komunitetin e vet, që është I udhëhequr nga e mbara. Dhe kjo është garancia dhe për mua Leonidha është një nga ata që kohë më parë e ka treguar. Është nder dhe privilegj për të gjithë komunitetin këtu, por edhe për Partinë Demokratike. Kështu e imagjinojmë ne Partinë Demokratike, respekto individin, ne jemi të djathtë. Ne jemi të djathtë dhe e di çfarë do të thotë të jesh i djathtë, të respektosh individualitetin e tjetrit. Të respektosh liritë dhe të drejtat e tij, jo vetëm si komunitet, por edhe si individ. Kjo është filozofia, me të cilën ne Partia Demokratike, kjo parti e cila po rinovohet tashmë, po shkëputemi nga e shkuara, po shkëputemi nga tranzicioni, po shkëputemi nga mentaliteti i vjetër, për t’i dhënë një hapësirë, për t’i dhënë një frymëmarrje  mënyrës qytetare se si sillesh me publikun, me individin, duke e respektuar atë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat