Call-Center në banesë/ Policia jep detaje nga operacioni në Kavajë, sekuestrohet dhe një sasi kanabisi

Shqipëria

Call-Center në banesë/ Policia jep detaje nga operacioni në Kavajë, sekuestrohet dhe një sasi kanabisi

Më: 12 prill 2023 Në ora: 10:02
Kavajë

Policia e Kavajës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Përshtatja”, ku u zbulua në një banesë të marrë me qira një call center. Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Sekuestrohen 4 kompjuterë që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që u gjetën në ambientet e kësaj banese.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Përshtatja”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. H., 24 vjeç, dhe D. B., 28 vjeç, të dy banues në Kavajë.

Këta shtetas kishin përshtatur një banesë të marrë me qira në lagjen nr. 5, Kavajë, si Call Center, subjekt i cili ishte i palicencuar dhe me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente. Gjatë kontrollit në ambientet e kësaj banese u gjetën të instaluar 4 kompjuterë që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 kompjuterët.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat